Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste dhe njëherësh drejtues politik në Dibër, premton se në këtë qark ata do të dalin me 4 mandate. Sipas Blendi Klosit, fitorja e socialistëve në Dibër është e sigurt, por ata do të luftojnë për mandatin e katërt.
Në një lidhje direkte me emisionin "Të Paekspozuarit" në MCN TV, politikani i lartë socialist ka thënë me bindje se nga puna që kanë bërë në terren janë të bindur për rezultat 3 me 2, por nëse llogarit dhe votat e diasporës, mund të thellohet në 4 me 1.
"Ka një kthim të të gjithë Dibrës majtas. Nga puna që kemi bërë me patronazhistët, jemi të sigurt 3-2, por kur të numërohet edhe vota e diasporës, mund të shkojmë edhe 4-1. Do të jetë fotofinish, do të vendoset në kutitë e fundit, nëse marrim 4. Jemi në garë për mandatin e katërt.
Mos harrojmë gara e fundit para dy vitesh, ka patur 40 mijë vota PS, 20 mijë vota përfaqësuesit e PD, nga 60 mijë votues gjithsej… Besoj shkojmë fort në garën për mandatin e 4", është shprehur Blendi Klosi, sekretar i Përgjithshëm i Partisë Socialiste dhe njëherësh drejtues politik në Dibër.
Sipas të dhënave më të fundit të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, të ardhura nga 3010 qendra votimi nga gjithsej 5225, pjesëmarrja në rang kombëtar është regjistruar në 42.16%.
Qarku me pjesëmarrjen më të lartë është Dibra, me 50.10% të votuesve që kanë marrë pjesë në proces. Më pas vjen Tirana me 48.73%, që gjithashtu përfaqëson edhe numrin më të madh absolut të votuesve, 279,104 zgjedhës.
Ndërsa Kukësi renditet i treti me një përqindje të lartë pjesëmarrjeje prej 46.15%. Nga ana tjetër, ashtu si pritej qarku i Vlorës ka pasur pjesëmarrjen më të ulët në vend, me 31.49%, ose 62399 votues, e ndjekur nga Shkodra me 36.78%, ose 68410.

