Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka shprehur pikëllimin e tij të thellë pas marrjes së lajmit për ndarjen nga jeta të ish-deputetit demokrat Gerti Bogdani. Gjatë një konference për shtyp, Berisha ndërpreu fjalën e tij pasi u informua për lajmin tragjik.
"Ky është një lajm tronditës. Gerti Bogdani ishte dhe do të mbetet një figurë e spikatur e brezit të ri të Partisë Demokratike," u shpreh Berisha i pikëlloi. Ai e përshkroi këtë humbje si një goditje të madhe, jo vetëm për partinë që ai përfaqëson, por edhe për mbarë shoqërinë shqiptare.
“Ky lajm i zi në këtë moment më erdhi këtu në tavolinë. Ky është një lajm shokues. Gerti Bogdani ka qenë dhe do të mbetet në memorien time, njëri nga personalitetet e reja të PD-së më të njohura, më të shquara. Ka qenë një politikan demokrat, me civilitet, me formim me përgatitje, me ndershmëri, me urtësi, në shkallën më të lartë. Kjo është një humbje e madhe për PD-në, por është një humbje e vërtetë për shoqërinë shqiptare. Gerti Bogdani ishte nga ata të rinj, pasardhës i një familje të shkëlqyer, të rreshtuar që në fillime me PD.
I shkolluar me rezultatet më të larta në shkollat më të mira të SHBA. Ai midis një të ardhme në vendin ku u shkollua, ku kaloi vitet e rinisë studentore, dhe kontributet për vendin e tij dhe PD, zgjodhi këtë të fundit. Ky lajm shokues për mua dhe çdo demokrate e demokrat, por edhe çdo qytetare e qytetar që e ka njohur Gerti Bogdanin më erdhi në këtë moment si rrufe ne qiell të hapur. Dy net më parë e kam ndjekur në një studio televizive. Mendoj se në rast se ka një njeri që njoh unë, i cili tek çdo qytetare dhe qytetar, mik, shok i njohur, ka lënë vetëm përshtypje pozitive në çdo takim, në çdo komunikim, ky është Gerti Bogdani, ndaj dhe ju ftoj të ngrihemi dhe të mbajmë 1 minutë heshtje kujtimin e ndritur të këtij personaliteti të shquar, të ri, të PD. I paharruar kujtimi i tij!”, tha ai.
Në respekt të ish-deputetit demokrat, Berisha bëri thirrje për një minutë heshtje, duke përfunduar konferencën më herët nga ç'ishte planifikuar.

