Ish-kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka reaguar menjëherë pasi ish-ministri Ilir Beqaj me urdhër të SPAK u vu në pranga mëngjesin e kësaj të enjte.
Basha ka përshëndetur vendosmërinë e Prokurorisë së Posaçme për hetimin e thelluar sa i përket abuzimit me fondet e Bashkimit Europian.
Deputeti demokrat ndër të tjera nuk nguron të shprehë mbështetjen e tij të plotë për organin më të lartë të akuzës, teksa thekson se “koka” e korrupsionit dhe të gjitha këtyre aferave korruptive sipas tij është kryeministri Edi Rama.
“Qytetarët shqiptarë presin drejtësi, qytetarët shqiptarë meritojnë që drejtësia t’i shkojë deri në fund aferave korruptive, pasi të gjithë e dinë që peshku është qelbur nga koka. Dhe koka dihet që është Edi Rama!”, shkruan Basha ndër të tjera.
Postimi i plotë:
Fillimi i fundit të pandëshkueshmërisë shënon fillimin e fundit të tranzicionit.
Përshëndes vendosmërinë e SPAK për hetimin e thelluar të aferave korruptive të qeverisë Rama, arroganca dhe babëzia e së cilës nuk kursen as fondet e BE-së.
Shpreh mbështetjen e plotë për SPAK dhe e inkurajoj të veprojë pa asnjë hezitim kundër korrupsionit në nivelet e larta, i cili është një kërcënim për integrimin e vendit në BE, mirëqenien, sigurinë tonë kombëtare, për zhvillimin ekonomik, social dhe demokratik të Shqipërisë.
Qytetarët shqiptarë presin drejtësi, qytetarët shqiptarë meritojnë që drejtësia t’i shkojë deri në fund aferave korruptive, pasi të gjithë e dinë që peshku është qelbur nga koka. Dhe koka dihet që është Edi Rama!
