Politikani dhe kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj ka reaguar për lajmin e raportuar ekskluzivisht nga newsbomb.al ditë më parë, që ka prodhuar një bujë të fortë kombëtare dhe ndërkombëtare, për trafikimin e tonelatave me mbetje të rrezikshme drejt Tajlandës dhe Kinës.
Sipas tij, Qeveria po hesht prej 2 javësh në lidhje me skandalin 816 tonelatave me mbetje toksike që po kthehen në Shqipëri, sepse është vetë e përfshirë në trafik mbetjesh toksike.
Agron Shehaj ka publikuar një shkresë që mban firmën e ministres së Mjedisit Mirela Kumbaro, sipas së cilës kompania "Sokolaj SHPK" është licencuar për transport mbetjesh të rrezikshme dhe jo.
"Ky dokument tregon se shteti shqiptar ka qenë ne dijeni të trafikut, që bëhej me lëndët e rrezikshme. Ky është akti i liçencimit të kompanisë që ka kryer eksportin e mbetjeve dhe nuk ka deklaruar që po eksportonin mbetje toksike.
Liçenca është e firmosur nga Ministrja e Mjedisit, Mirela Kumbaro. Pra, të gjitha institucionet e dinin që në ato 100 kontenierë, po trafikoheshin mbetje toksike, dhe nuk bënë asgjë, sepse trafikimi po bëhej nga vete Qeveria", shkruan Agron Shehaj.
Më tej, kreu i Partisë Mundësia duke ju referuar përmasave të mëdha të këtij skandali dhe rrezikut për shëndetin e qytetarëve, thotë se qeveria shqiptare nuk mund të heshtë më, por rasti duhet të hetohet.
"Ky është trafik shtetëror mbetjesh toksike dhe duhet të hetohet sa më shpejt. Qeveria nuk mund të heshtë më. Ky aktivitet kriminal i bërë duke përdorur institucionet shtetërore vë në rrezik shëndetin publik", përmbyllet reagimi i politikanit Agron Shehaj.
Newsbomb.al raportoi ekskluzivisht një javë më parë, për një sasi prej 800 tonësh mbetje të rrezikshme që kishte dalë në mënyrë të paligjshme nga Shqipëria dhe ishte nisur drejt Afrikës së jugut. Dy anije të kompanisë së transportit “MAERSK” fikën GPS pasi alarmi u dha në gjithë botën.
Ishin 100 kontejnerë me pluhur toksik që grumbullohet nga filtrat e furrave të çelikut, të cilat janë dërguar në mënyrë të paligjshme drejt Tajlandës dhe alarmi u dha vetëm kur dy anijet kishin nisur rrugën. Pas ditësh kërkime, dy anijet u lokalizuan dhe ngarkesat po kthehen mbrapsht.
Por, pas raportimit tonë të parë, një skandal i ri doli në dritë. Rezulton se muaj më parë një ngarkesë edhe më e madhe me pluhur kimik është dërguar drejt Kinës.
Në Mars të këtij viti, nga Porti i Durrësit u nisën drejt Kinës 115 kontejnerë me mbetje toksike. Ngarkesa e cila ishte deklaruar si koncentrat dhe mineral zinku është bllokuar nga autoritetet kineze dhe aktualisht 115 kontejnerët mbahen të bllokuar në Portin e Nanshas në Guangzhu të Kinës.
Kompania “Sokolaj SHPK” rezulton se është kompania e licencuar për transportin e këtyre mbetjeve dhe ka marrë përsipër t’i ngarkonte ato në kontejnerët e anijeve MAERSK. Zyrtarisht origjina e mbetjeve toksike është e pakonfirmuar. Edhe deklarimi fillestar në deklaratat doganore është i rremë.
© Newsbomb.al