Hapësire reklamuese

Kulture & Art

Rrokadë vajzash te Qendra e Librit: Gazetarja Arta Marku zëvendëson Alda Bardhylin, e mbajti detyrën për 6 vite

Shkruar nga Newsbomb
Rrokadë vajzash te Qendra e Librit: Gazetarja Arta Marku
Alda Bardhyli dhe Arta Marku

Alda Bardhyli nuk do të jetë më drejtoreshë e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, pasi ministri i Kulturës, Blendi Gonxhja ka njoftuar këtë të martë se vendin e saj do ta zërë gazetarja Arta Marku.

Gazetare dhe kritike letrare me një rrugëtim të gjatë dhe të konsoliduar në kulturë, Arta Marku e nisi karrierën në vitin 1993 me gazetën “Koha Jonë”, për të vijuar më pas në media të rëndësishme si “Gazeta Shqiptare”, “Shekulli” dhe “Panorama”, gjithmonë me fokus te libri dhe letërsia.

Ka drejtuar si kryeredaktore disa prej revistave më të njohura kulturore në vend, ndërsa prej vitit 2014 ka sjellë për publikun emisionin “Bibliotekë” në RTSH dhe “Palimpsest” në Radio Tirana. Përmes nismave si “AGORA”, ajo ka afruar letërsinë me publikun në hapësira të hapura dhe interaktive.

E angazhuar vazhdimisht në promovimin e leximit, Arta Marku ka zhvilluar takime të shumta me nxënës në gjimnazet e Tiranës, si dhe ka qenë pjesë e jurive në çmime dhe konkurse të rëndësishme letrare.

Si autore dhe përkthyese e disa veprave të rëndësishme, ajo sjell në këtë detyrë një përvojë të pasur dhe një vizion të qartë për zhvillimin e librit dhe leximit në Shqipëri, shkruan ministri Blendi Gonxhja, ndërsa falenderon dhe Alda Bardhylin.

"Një falënderim i veçantë shkon për ish drejtoreshën Esmeralda Bardhyli për punën dhe kontributin e saj të vyer ndër vite në këtë institucion", përmbyllet mesazhi i ministrit.

Alda Bardhyli e ka mbajtur këtë detyrë për më shumë së 6 vite, që nga Janari 2020 kur ministrja e atëhershme e Kulturës, Elva Margariti, i besoi detyrën e drejtroreshës së parë të Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit.

Ajo u hap në vitin 2019 me vendim të Këshillit të Ministrave, me synim përhapjen e kulturës së leximit në të gjithë vendin, nxitjen e krijimtarisë, forcimin e rolit promovues dhe edukativ të bibliotekave dhe mbështetjen e projekteve për promovimin e letrave shqipe në tregun europian dhe atë botëror.

© Newsbomb.al

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese