Hapësire reklamuese


Kulture & Art

Margarita Xhepa sezoni i një DAME! Intervista e yllit të kinematografisë shqiptare për Revistën Newsbomb

Shkruar nga Newsbomb
Margarita Xhepa sezoni i një DAME! Intervista e yllit të
Margarita Xhepa

Aktorja e mirënjohur dhe ylli i skenës shqiptare mbylli sytë përgjithmonë këtë të enjte. Margarita Xhepa ndërroi jetë në moshën 91-vjeçare, në krevatin e një spitali në kryeqytet ku prej ditësh qëndronte në kujdesin intensiv pasi gjendja e saj shëndetësore ishte rënduar tepër. E sot, që lajmi për ndarjen e saj nga jeta nga ka zhytur të gjithëve në trishtim, ne po iu sjellim një intervistë të dhënë nga vetë e madhja Margarita Xhepa në janar të vitit 2022.

Nga Suada Daci

Margarita Xhepa do të jetë gjithmonë! Për ikonën e artit shqiptar nuk ekziston fjala “na ishte dikur” …Zonja e teatrit dhe filmit shkëlqen si “margaritar “ në çdo stinë të jetës dhe duket sikur formulën magjike të rinisë do ta ketë përjetësisht aleate të sajën.

Me Margarita Xhepën isha takuar në vitin 2010, (asokohe isha reportere në Agjensinë Telegrafike Shqiptare) dhe e shoqërova për në shtëpi pas premierës së filmit “Ne dhe Lenini”, ku Xhepa ishte një nga protagonistet kryesore të filmit të regjisorit Saimir Kumbaro.

Dhe ja ku jemi sot fiks pas 12 vitesh, unë jo më poshtë pallatit të saj,por në shtëpinë e saj (me maskë) ku do të flasim gjatë për atë ç’ka ka ndodhur në këto 12 vite të karrierës së saj dhe jo vetëm. Ajo më tregon se është ruajtur shumë përgjatë periudhës së pandemisë dhe deri tani nuk është prekur nga virusi global që i mori jetën miliona njerëzve në botë.

Nuk më ka zënë covid-i, jam ruajtur. Kam patur shumë kujdes, kam bërë dy vaksinat madje edhe të gripit. Kjo është një pandemi globale, ndaj duhet të ruhemi…”, thotë artistja e madhe e skenës shqiptare e cila pjesën më të madhe të kohës e kalon në shtëpi duke lexuar.

E në fakt një nga detajet që doja të ndaja me publikun është se apartamenti i saj i vogël është i mbushur plot me libra e çmime.

“Libri i parë që kam lexuar ka qenë Gremina e dashurisë”, nga Mustafa Greblleshi, më pas “Nëna” e Gorkit dhe kam vijuar të lexojë përgjatë gjithë jetës sime. Për mua librat janë ushqim shpirtëror kaloj kohën më të mire në shoqërinë e tij”, tregon ajo…

Margarita Xhepa është si orë nuk di të ndalet dhe më vjen mirë që e shoh të lumtur si një fëmijë për rolin e ri në filmin “Bolero në vilën e pleqëve”, me regji të Spartak Pecanit.

“Më nxorri mallin dhe nostalgjinë e filmave të para viteve ‘90, jo vetëm për temën por edhe për punën e regjisorit dhe stafit realizues. Mu kujtua ajo kohë kur punohej bukur. Marrja e rolit për mua ka qenë një gëzim i madh. Im shoq ma thoshte gjithnjë kur më shihte të lumtur çfarë roli ke marrë. Unë i thoja po ku e kuptove që kam marrë një rol? Nga mënyra se si e shtrove tavolinën”, thotë Margarita Xhepa dhe sytë e kaltër i marrin një tjetër shkëlqim kur nis dhe flet për filmat ku ka interpretuar, ose me saktë për gjithë kohën dhe jetën që i ka kushtuar KINEMATOGRAFISË dhe TEATRIT…

“Jam e gëzuar që u bë një film i ri nga një roman shqiptar i Fatos Kongolit, të cilin e kisha lexuar më parë. Ajo që  më bëri përshtypje ishte mesazhi që ngrinte në këtë roman. Ne kemi tema nga më të veçantat dhe tepër të bukura që nuk po bëhen skenare, këtu ndjej mungesën e Vath Koreshit, Kiço Blushit, Teodor Laços, Dhimitër Xhuvanit, Nasi Lerës, Nexhiti Tafës, që kanë bërë skenarët më të mrekullueshëm në Kinostudio. Kur më erdhi ky skenar në dorë e lexova me një shpejtësi të jashtëzakonshme sepse ishin përfshirë në të ngjarjet më interesante të librit dhe çdo ngjarje plotësonte tjetrën. Prindërit sot po mbeten vetëm dhe kjo është një dramë që e vuajnë shqiptarët”, rrëfen Margarita Xhepa duke treguar se në rolin e saj të ri trajton dhimbjen e gjithë nënave shqiptare.

35 vjet që interpreton role nënash (dhe aspak të njëjta)

“Jo tani që jam kjo që jam por qysh atëherë kam patur merak për të gjetur të veçantën e çdo nëne. Fillimisht të veçantën e gjejmë tek halli, tek drama, tek vuajtja, tek dhimbja, tek marrëdhënia që ajo ka me të tjerët. Gruaja që luaj në filmin e fundit ka qenë artiste, balerinë. Në gjithë qënien e saj ka një elegancë, nuk ka banalitet edhe pse sëmundja e ka rënduar pak ajo përsëri nuk e ka humbur bukurinë e saj si grua”, thotë Xhepa.

Por mua më pëlqen ta ngacmojë pasi dua të di se cila ka qenë nëna e saj e preferuar, ajo e Vlashit (te “Pylli i Lirisë”), e Arturit (te “Apasionata”) apo e Irenës (te “Pranvera s’erdhi vetëm), apo Besimit ( te “Dora e ngrohtë)…?!

“Këto nëna i kam pranuar sepse i kam parë tek vetja. Kush më ka pëlqyer më shumë?! Hmm… Roli im tek “Pylli i Lirisë” dhe e di pse?! Sepse aty brenda janë të gjitha nënat myzeqare. Në lagjen ku jam rritur kisha disa nëna që ishin model. Kisha fiksuar në kokën time të gjithë mimikat, lëvizjet e tyre, kisha material dhe u’a bashkangjisja roleve të mia. Aty edhe ecjen e kam bërë si nënat myzeqare, se kisha problem të ecja zbathur sepse isha mësuar që fëmijë. Unë vijë nga një familje e varfër , babai na blinte një palë sandale për Pashkë dhe me to kalonim gjithë vitin ( këtë ja kam thënë edhe Gëzim Erebarës)”.

Ama me Ndriçim Xhepën keni interpretuar rolin e nënës vetëm në dy filma “Shokët” dhe “I dashur armik”, pse kjo zgjedhje?

“Regjisorët ashtu e kanë parë të arsyeshme, nuk mund t’ua kërkoja unë të interpretoja krah djalit tim”, për të cilin flet pak por nuk ngurron të tregojë se së bashku me bashkëshortin e saj, ishin dy nga kritikët më të mëdhenj të karrierës së saj. Po nga kolegët e tjerë artist me cilin ke më shumë “kimi” skenike?!

“Jam ndjerë mirë me të gjithë, bashkëpunimi i fundit që kisha me Robert Ndrenikën në filmin “Bolero në vilën e pleqve” ishte fantastike. Ata në film janë një çift që e duan njëri-tjetrin deri në vdekje, madje Bertit i thashë s’do të të them i dashuri im por o xhan. Kur vdes në fund personazhi im nuk kërkon fëmijët por bashkëshortin e saj.

Skenat “nudo” tek filmi i ri

Po është e vërtetë dal paksa e zhveshur në një nga skenat e filmit. Futem në dush dhe shërbyesja ime e cila interpretohet nga Gentiana Ramadani, më ndihmon të lahem. Pra unë shfaqem me shpinë në dush, ndërkohë që Gentiana ka një skenë të sajën ku bën dush “topless”.

I ke patur tabu skenat erotike në filma?!

Në kohën tonë nuk lejoheshin as puthjet, ndërsa për t’u zhveshur nuk bëhej fjalë. Edhe në një skenë me Agim Qirjaqin (në filmin “Misioni përtej detit”) edhe aty bëmë sikur po putheshim.

E meqënëse jemi tek këto skenat e guximshmem më lind pyetje vetvetiu, po rrjetet sociale a i përdor??

Aaa këtu do të të them një shprehje të Tinka Kurtit. Kur e pyesin Tinkën a ka “Facebook”?! Posi thotë kam veç bukë, jo Facebook. (Qesh) Edhe unë si Tinka Kurti kam një telefon fiks dhe një telefon modest celular.

Margarita Xhepa nuk i kishte kompleks rolet dytësore

“Dritë i pastë shpirti Viktor Gjikës, i cili më dha rolin dytësor “ Tek Gjeneral Gramafoni”. Megjithatë edhe aty arrita që të bëja një batutë timen pa qenë në skenar. Nuk e di nëse ju kujtohet skena tek ballkoni ku unë them “ U ndez fukaraja” dhe regjisori e pëlqeu pa masë atë batutë. Edhe një rol të vogël aktori duhet ta mbushë me batuta e gjeste. Madje rolit të vogël duhet t’ja bësh më shumë shërbimin…”, tregon Xhepa…

Por sa ndërhyn Margarita në skenaret teatrale dhe ato kinematografike?!

“Bisedat me aktorin dhe regjisorin janë shumë të rëndësishme. Ne e vendosim bashkarisht si do të trajtohet karakteri, ndonjëherë regjisori e pranon ndonjëherë jo. E kam bërë gjithnjë edhe në teatër dhe film. Madje edhe në filmin e fundit kam shtuar disa batuta nga vetja. Kam një bisedë me Olta Dakun (vajzën time), e cila zbulon që shërbyesja ime është lezbike  dhe unë i them po ti çfarë ke, ajo na shërbën, na ndihmon. S’ke faj ti moj vajzë, ti e more shërbyesen tënde për të pastruar dhe ajo të mori burrin. Kjo është një batutë e imja…”

Karriera e gjatë dhe rivaliteti në art…

Megjithatë jo çdo që shkëlqen është ar e në këtë rrugëtim të gjatë me siguri edhe Margarita Xhepa do të ketë patur rivalet e saj. Përshembull Tinka Kurti, nuk e di pse ne publiku i kemi cilësuar gjithnjë si rivale…

“Unë dhe Tinka kemi të dyja titujt “Nderi i Kombit” dhe “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”. Kurrë nuk ka patur rivalitet mes nesh. Unë e kam çmuar gjithnjë Tinkën, madje ajo ka një plus më shumë se unë sepse luan  bukur edhe në komedi.

Por si i kujton kolegët që nuk jetojnë më?

“Ata kanë qenë kollozë ( i dridhet zëri ). Po të them tre emra do të gaboj, po të them trembëdhjetë po ashtu… Ishte koha e të mëdhenjëve. Punonim me një dashuri të madhe, përkushtim të jashtëzakonshëm, kurse sot ka të tjera raporte midis pasionit për punën dhe shpërblimit. Unë kam ende kënaqësi kur marr një rol. Në fillim më gëzon shpirti kur marr në dorë skenarin pastaj diskutoj pagesën. Nuk vjen më ajo kohë, ishte kohë e artë… Se si ne e ndihmonim njëri-tjetrin, a ma pe proven më thoshte Drita Pelingu, Violeta Manushi, Besa Imami…

Lushnje, Lushnje, Lushnje…

Tjetër orientim merr biseda kur flasim për qytetin e saj të lindjes. Madje regjisori Spartak Pecani ka vendosur që filmin “Bolero në vilën e pleqve “ ta shëtisë në shumë qytete të Shqipërisë dhe i pari qytet pas Tiranës do të jetë pikërisht, Lushnja.

Vendlindja është gjë e madhe, sepse çdo ditë merr virtytet e vendit ku je lindur. Jam shumë e mbushur me kujtimet më të bukura, duke filluar që nga prindërit e që edhe pse njerëz pa shkollë i donin njerëzit dhe dera e tyre rrinte hapur duke pritur këdo. Të duash punën dhe njerëzit, marrëdhënia njerëzore është gjëja më e madhe… Ky ka qenë parimi im në jetë, ma ka mësuar babai im…

 

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese