Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë këtë të mërkurë në takimin përmbyllës të Thirrjes së 10-të të Programit Kombëtar të Praktikave të Punës për studentët e ekselencës, i cili prej 10 vitesh po kthen përvojën në punësim.
Teksa ka dalë në podium për të marrë fjalën dhe u prezantua si njeriu që mbëhstet këtë nismë me vizion, Edi Rama u duk se u bezdis nga elozhet dhe sapo nisi fjalën, tha "Na bëre të gjithëve vizionarë!"
"Shumë kënaqësi ju shoh këtu në këtë pallat, që gjithmonë kur bëjmë këtë takim, bëhet më i bukur edhe ka një energji më pozitive", vijoi më tej kryeministri, duke përgëzuar studentët e ekselencës për angazhimin në këtë program 1 vjeçar të praktikave të punës.
Gjatë ceremonisë, është regjistruar edhe një moment tjetër që ka shkaktuar batuta në sallë, kur një prej studentëve mori certifikatë.
"Çfarë ke?" e pyeti me humor kryeministri, pasi i riu nuk dukej dhe aq i qetë e i lumtur për vlerësimin. "Mora certifikatën", u përgjigj ai, ndërkohë që e gjithë salla shihte nga podiumi, kur Edi Rama vet nuk po e mbante dot të qeshurën.
"Si... Si i shqetësuar. Merr frymë", ju drejtua ai sërish të djalit, i cili vazhdonte të mbante përsëri një qëndrim serioz. Të tjerët, nisën të qeshnin gjithashtu nga ky moment humori, ndërsa kryeministri bënte shenjë me dorë dhe e shihte herë pas herë të riun.
