Ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, tashmë lektor në universitetin më prestigjoz në botë, ka ndarë një fotografi të veçantë me dy studente shqiptare të Harvardit. Julia Karabolli dhe Dea Kamberi thotë Ditmir Bushati, kanë lindur e janë rritur në SHBA, por janë shumë kurioze për Shqipërinë.
"Janë fëmijë të një brezi prindërish shqiptarë që sakrifikuan gjithçka për t’u dhënë fëmijëve një të ardhme", shkruan ai, teksa shton se Julia dhe Dea janë sot studente të Departamentit të Qeverisjes të Universitetit të Harvardit, dëshmia më e bukur se ka sakrifica që kthehen në bekim.
"Të dyja janë thellësisht kurioze për Shqipërinë. Janë rritur me dashuri, me ndjenjën e përkatësisë që vjen nga rrënjët", shkruan ish-shefi i diplomacisë shqiptare. Gjithashtu, dy vajzat drejtojnë Shoqatën e Studentëve Shqiptarë në Universitetin e Harvardit.
"Julia ka vendosur që ta bëjë praktikën pranë një institucioni të lartë shtetëror në Shqipëri. Raste të tilla nuk duhet të mbeten përjashtime. Ato duhet të shërbejnë për të afruar të rinjtë e diasporës, që ndonëse janë rritur larg, kanë çfarë t’i sjellin Shqipërisë: dije, ndërlidhje, perspektivë.
Ky është një brez që, me formimin dhe përvojën e tij, mund të krijojë lidhjet e bazuara në vlera mes Shqipërisë dhe botës", përmbyllet mesazhi i ish-ministrit Ditmir Bushati.
