Ish-kryeparlamentarja Jozefina Topalli, ka marrë pjesë sot në punimet e Kuvendit të PD ku ka mbajtur një fjalim prekës, për gjendjen ku e la partinë në vitin 2013 dhe situatën aktuale. Kur ajo doli në podium, të gjithë delegatët u ngritën në këmbë, ndërsa vet Topalli u përlot.
Edhe gjatë fjalës së saj ajo ka folur e prekur, me zërin duke ju dridhur. Sikur të kisha dalë një Kuvend më parë, ju tha delegatëve që e duartrokisnin gjithë kohën.
"Pas 2013, PD hyri në krizë të vërtetë. Krizë lidershipi. Në Parlament deputetët bënin betejë me krimin, ndërkohë udhëheqja bënte pazare me qeverinë. Në shtëpitë e shqiptarëve po hiqeshin njerëzit nga puna. Në shtëpinë e kryetarit shtohej puna dhe e kunatit. Në vend të bashkëpunimit erdhi përçarja. Humbja nisi të quhej fitore", tha ajo ndër të tjera.
Ish-kryeparlamentarja u shpreh se pavarësisht se krijoi një lëvizje të sajën, ajo kurrë nuk u largua nga Partia Demokratike, por PD-ja iku nga demokratët.
"Kur kam hyrë në politikë isha 30 vjeçe. Një nënë e re me dy fëmijë të vegjël. Guxova të ngrihesha kundër krimit. Herën e parë kam provu dhe armën mbi kokë, kurse herën e dytë linçimin nga të mitë. Jam ndjerë e lënduar nga vetmia nga beteja për këto çështje që po bëni sot ju."


Fjala e plotë e Jozfina Topallit në Kuvendin e PD:
Kur dola nga shtëpia, mendova sikur në një Kuvend më parë të kisha dalë. Herën e fundit që kam qenë në Kuvendin e partisë tonë, ka qenë pas zgjedhjeve të 2013. Ishim mësuar të ishim pjesë të një partie që fitonte zgjedhjet dhe ne ishim në gjendje të bënim ndryshimin. Kemi bërë dhe gabime. Por ama në pushtet qeverisnin, në opozitë ishim të fortë dhe të vërtetë.
Në vitet më të vështira të opozitës të para 2005 askush nuk na quajti opozitë e rreme. Nuk shisnim misionin e opozitarizmit. Nuk këmbenim me zarfe vendet e deputetëve., Nuk u iknim përgjegjësive. Nuk imagjinonim të hidhnim gaz ndaj njerëzve tanë. Ishim mësuar të bënim beteja për të vërtetat tona.
Por erdhi dita kur Partisë sonë Demokratike nuk i mbeti më asgjë demokratike atje lart.
Njeriu, në kaq jetë sa kemi ka aq vlerë sa guxim e vendosmëri. Cili ishte fillimi i rënies tonë? Ditën kur filluan të rrëzohen vlerat. Pas 2013 tatëpjeta e PD mori vrapin. Me shpresë se ardhmja do na buzëqeshte, ajo ngjate me një rrukupujë. Ishte dhe më banale seç mund të mendohej.
Pas 2013, PD hyri në krizë të vërtetë. Krizë lidershipi. Në Parlament deputetët bënin betejë me krimin, ndërkohë udhëheqja bënte pazare me qeverinë. Në shtëpitë e shqiptarëve po hiqeshin njerëzit nga puna. Në shtëpinë e kryetarit shtohej puna dhe e kunatit. Në vend të bashkëpunimit erdhi përçarja. Humbja nisi të quhej fitore.
Opozita e PD nuk ka qenë kurrë e lehtë. Por ju jeni po aq të ndërgjegjshëm sa unë se ne këtë opozitë nuk e meritonim. Foltorja ishte gjëja më e bukur që mund të ndodhte për të zgjuar strukturat. Kuvendi i 11 dhjetorit ishte i duhuri për t'u ndarë nga pazaret.
Betejat që kemi përpara janë të forta. Ka shumë cinikë që thonë se nuk do ja dalim, i kam dëgjuar shumë vite më parë, edhe pak vite më parë, kur nuk pushoja së luftuari. Cinikët do shtohen, do bëhen edhe më të zhurmshëm, por në historinë e betejave për të vërtetat nuk ka asgjë fallco që ka të bëjë me shpresën.
Kur kam hyrë në politikë isha 30 vjeçe. Një nënë e re me dy fëmijë të vegjël. Guxova të ngrihesha kundër krimit. Herën e parë kam provu dhe armën mbi kokë, kurse herën e dytë linçimin nga të mitë. Jam ndjerë e lënduar nga vetmia nga beteja për këto çështje që po bëni sot ju.
Jam sot këtu se e konsideroj situatën në një pikë kritike. Për pluralizmin, për opozitën, për vendin. Balancat janë prishur. Çdo gjë është kthyer në korrupsion. Partia jonë është ende e plagosur, do doja t'i thoja kujtdo mos i rëndoni më shumë plagët tona.
Ata që çojnë partinë në Gjykatë ju them se boll na keni lëndu. Partia nuk është kryetari, është identitet, janë njerëzit, fryma që e mban. Po të mos ishin këta, kjo parti do ishte shkri me kohë. Erdha këtu në nderim të trashëgimisë së PD. Kemi bërë shumë për vendin, kemi frymëzu shqiptarët.
Nuk ka mësues më të mirë se vështirësia. Çdo vujtje ka leksionin e saj. Kam pasur gjithmonë një bindje, nuk mund të ndryshosh situatën nëse nuk përballesh me ta. Unë nuk jam larguar nga PD, ka ikur ajo nga demokratët.
