
Tetë vjet pas inaugurimit të tij të parë, Donald Trump pritet të marrë sot detyrën si presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara, pas një ceremonie spektakolare që do të mbahet në ambiente të mbyllura për shkak të temperaturave jashtëzakonisht të ftohta në Uashington.
Vëmendja e mediave amerikane, por edhe ndërkombëtare është përqendruar në kryeqytetin amerikan, me detaje për ngjarjet e planifikuara, personat që do të jenë “prezent”, mungesat e bujshme dhe gjithashtu veprimet e para të Trump pas marrjes së detyrës.
Trump, i cili pas pak orësh do të bëhet zyrtarisht presidenti më i vjetër në historinë e SHBA-së, do të betohet sot në orën 12:00 (18:00 me orën shqiptare) përpara Kapitolit , simbolit emblematik të demokracisë amerikane që ishte sulmuar nga mbështetësit e tij, kur tentuan 4 vite më parë të pengonin ratifikimin e fitores së kundërshtarit të tij demokrat, Joe Biden. Menjëherë pas kësaj, miliarderi republikan do të mbajë fjalimin e parë të mandatit të tij të dytë.
Për shkak të temperaturave të ftohta që mbizotërojnë ditët e fundit në kryeqytetin amerikan, ceremonia do të zhvillohet në ambiente të mbyllura , në Rotondën e Kapitolit. Ky do të jetë vetëm inaugurimi i dytë me dyer të mbyllura në historinë e SHBA. Presidenti i fundit që u betua në këtë mënyrë për shkak të të ftohtit ishte Ronald Reagan në 1985.
Pasi presidenti në largim dhe Kamala Harris , e cila u mund nga Trump në zgjedhjet presidenciale të nëntorit, do t'ia dorëzojnë pushtetin dhe kodet e armëve bërthamore Trumpit, ceremonia do të pasohet nga sfilata tradicionale në stadiumin e mbyllur Capital One Arena (ku u zhvendos për shkak të të ftohtit) me rreth 7500 pjesëmarrës, duke përfshirë grupe ushtarake, studentë . Më pas Trump do të kalojë në Shtëpinë e Bardhë, ndërsa kjo ditë historike do të mbyllet në mbrëmje.
Festimet nisën mbrëmjen e së shtunës me një pritje dhe shfaqje fishekzjarre në një nga klubet e golfit të manjatit të pasurive të paluajtshme në Sterling, Virxhinia, rreth një orë jashtë Uashingtonit.
View this post on Instagram
Mbrëmë, në prag të inaugurimit të tij, presidenti i zgjedhur foli para mijëra mbështetësve të tij në qendër të kryeqytetit amerikan. Në atë fjalim plot pasion, ai i siguroi edhe një herë se do të mbante premtimet e tij, të tilla si dëbimet masive të emigrantëve të paligjshëm dhe vendosja e tarifave ndaj vendeve si Meksika dhe Kanadaja, ndërsa premtoi t'i jepte fund luftës në Ukrainë dhe kaosit në Lindjen e Mesme.
“Çdo urdhër ekzekutiv radikal dhe budalla i administratës Biden do të shfuqizohet brenda disa orësh pas betimit”, tha ai dje.
Axhenda sipas orarit të Shqipërisë:
Ora 11:00: Fillojnë kontrollet e sigurisë në Kapitol.
Ora 12:00: Mesha në Kishën Episkopale të Shën Gjonit në qendër të Uashingtonit. Trump dhe gruaja e tij Melania më pas do të shkojnë në Shtëpinë e Bardhë për të pirë çaj me presidentin në largim Joe Biden dhe Zonjën e Parë Jill Biden. Tradicionalisht, presidenti në largim e shoqëron presidentin e ri në Kapitol.
Rreth orës 15:30: Fillon muzika live dhe fjalimet hyrëse. Carrie Underëood do të performojë "America the Beautiful" para inaugurimit të Trump.
Rreth orës 16:00: Fillojnë të mbërrijnë të ftuar zyrtarë.
Ora 17:30: Ata me ftesa duhet të kenë mbërritur në këtë kohë.
Ora 18:00: Sipas Kushtetutës kalimi i pushtetit bëhet pikërisht në orën 18:00. Trump do të bëjë betimin presidencial gjatë ceremonisë së inaugurimit.
Pak pas orës 18:00: Nisja zyrtare dhe ceremoniale e presidentit dhe zëvendëspresidentit në largim bëhet, zakonisht me helikopter.
Menjëherë pas kësaj, është ceremonia e nënshkrimit, gjatë së cilës presidenti, i shoqëruar nga këshilltarë dhe anëtarë të Kongresit, drejtohet në zyrën e tij pranë dhomës së Senatit për të nënshkruar emërime, memorandume, proklamata ose urdhra ekzekutivë. Më pas vijon Dreka e Kongresit, ku marrin pjesë presidenti, nënkryetari dhe të ftuarit e tyre, udhëheqës të Senatit dhe anëtarë të Komitetit të Përbashkët të Kongresit për Ceremonitë Inauguruese (JCCIC).
Ora 21:00: Fillon parada presidenciale. Fillimisht ishte planifikuar të zhvillohej në Pensilvania Avenue dhe të përfundonte në Shtëpinë e Bardhë, por u zhvendos brenda në Capital One Arena për shkak të të ftohtit.
Pas paradës, Trump kthehet në Shtëpinë e Bardhë për ceremoninë e nënshkrimit në Zyrën Ovale. Dhe në fund Donald Trump do të mbajë fjalimin e tij si Prsidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.