Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Aktualitet

Zbërthehet sulmi ndaj Sokol Mëngjesit, Vocaj: Organizator Dirtan Jani Nano, 20 mijë euro kush ka informacion për vendodhjen e autorëve

Shkruar nga Newsbomb
Zbërthehet sulmi ndaj Sokol Mëngjesit, Vocaj: Organizator Dirtan Jani
Tonin Vocaj

Policia e Shtetit ka arritur të zbërthejë ngjarjen e rëndë të ndodhur mëngjesin e kësaj të mërkure, ku në zemër të Tiranës u dhunua barbarisht me leva dhe sende të forta avokati Sokol Mëngjesi.

Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, Tonin Vocaj, në një deklaratë urgjente për mediat ka bërë me dije se falë kamerave të sigurisë kanë arritur të identifikojnë autorët si dhe të zbardhin dinamikën e kësaj ngjarje.

Policia ka identifikuar katër autorët, tre prej të cilëve, Elton Kasaj, Drivald Alia dhe Dorian Alia, sipas Vocajt kanë kryer sulmin, ndërsa njëri prej tyre, konkretisht Romario Tabaku, ka shërbyer për transportin e autorëve. Organizator i këtij sulmi dhe urdhërues sipas policisë është Dritan Jani Nano.

Drejtori Vocaj gjatë kësaj deklarate hodhi poshtë të gjitha pretendimet se sulmi i avokatit ka qenë politik, duke thënë se dhuna ndaj Mëngjesit është bërë për shkak të detyrës së tij.

“Autorët nuk janë të paguar por janë në lidhje krushqie me njëri tjetrin”, tha Vocaj ndër të tjera, teksa më tej sipas informacioneve të bëra me dije gjatë kohës kur ai ishte në konferencë u mësua se një prej autorëve, Dorian Alia u vetëdorëzua në Policia, ndërkohë po vijon puna për kapjen e tre autorëve të tjerë, Elton Kasaj, Drivald Alia dhe Romario Tabaku.

Zbërthehet sulmi ndaj Sokol Mëngjesit, Vocaj: Organizator Dirtan Jani
Autoret

Ndër të tjera, Vocaj tha se është vendosur në dispozicion shuma 20 mijë euro për të gjithë ata që kanë informacione të vlefshme lidhur me vendodhjen e tre autorëve të tjerë të kontaktojnë policinë në numrin pa pagesë 112 dhe në 355694111546.

“Nga veprimet rezulton se Sokol Mëngjeis me profesion avokat është goditur për shkak të detyrës. Avokati ka përfaqësuar ligjërisht në një proces gjyqësor një familje që kishte të trashëguar një pronë në Tiranë proces që është fituar nga pala që mbronte avokati. Ish-klientët nuk kanë pranuar që ta paguajnë.  

Pala fituese nuk ka respektuar detyrimet kontraktore që ka pasur me studion ligjore. Jo e gjithë pala por disa nga kontraktorët. Si të tjerë dhe kjo degë që ka kryer sulmin nuk kanë rënë dakord me detyrimet që kanë pasur nënshkruar. Në vijim të veprimeve është shoqëruar Dritan Jani Nano i cili u ndaluar si organizator i kësaj ngjarje të rëndë kriminale”, tha Vocaj.

Fjala e plotë e Tonin Vocajt: 

Jam sot këtu për të bërë me dije opinionin publik për masat e marr nga ana e Policisë në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur ditën e sotme më datë 29.05.2024, rreth orës 08:50, ku në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, në rrugën “Pjetër Bogdani", tre persona kanë goditur me sende të forta shtetasin Sokol Mëngjesi, 45 vjeç, banues në Tiranë, me profesion avokat.

I dëmtuari është dërguar menjëherë në spital për dhënien e ndihmës mjekësore dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 dhe Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda, në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, organizuan punën policore për marrjen e informacionit mbi autorët e mundshëm të kësaj ngjarjeje, ku nga tërësia e veprimeve gjurmuese dhe precedurale, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, është bërë i mundur identifikimi i autorëve të dyshuar të kësaj ngjarjeje kriminale, konkretisht shtetasve:

- Dorian Beqir Alia, 32 vjeç, banues në Tiranë, i cili është vetëdorëzuar në Polici;

- Drivald Sokol Alia, 21 vjeç, banues në Tiranë;

- Elton Ndue Kasaj, 33 vjeç, banues në Tiranë;

- Romario Roberto Tabaku, 26 vjeç, banues në Tiranë (i cili ka larguar autorët nga vendi i ngjarjes me automjetin tip Audi me targë AB 696 JT).

Nga veprimet hetimore rezulton se i dëmtuari Sokol Mëngjesi me profesion avokat, është goditur për shkak të dëtyrës. Po nga veprimet hetimore rezulton se avokati ka përfaqësuar ligjërisht në një proces civil në shkallë të parë dhe në apel një familje e cila kishte të trashëguar një pronë në qytetin e Tiranës, proces i cili është fituar nga pala e përfaqësuar prej tij. Disa nga trashëgimtarët nuk kanë pranuar të plotësojnë kushtet ligjore të kontratës së nënshkruar me Studion Ligjore “ALTERUM SHPK”.

Po në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale është shoqëruar shtetasi Dritan Jani Nano, 58 vjeç, banues në Tiranë, i cili u ndalua me iniciativë i dyshurar si organizator i kësaj ngjarjeje të rëndë kriminale.

Materialet do ti kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për veprën penale “Vrasja e funksionarëve publik”, mbetur në tentativë, parashikuar nga nenet 79/a dhe 22 të Kodit penal.

Ndërkohë Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, e mbështetur nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, Forcat Speciale RENEA, Forcat Kombëtare të Sigurisë, vazhdojnë operacionin për kërkimin, lokalizimin dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, kërkon ndihmën e publikut për lokalizimin dhe kapjen e autorëve dhe për çdo informacion të vlefshëm që do të çojë në kapjen e autorëve vë në dispozicion shumën prej 20 000 Euro, informacioni mund të jepet në numrin telefonik pa pagesë 112 si dhe në numrin celular +355694111546 (Informacioni mund të jepet në telefon ose WhatsAapp).

 

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese

op
ed