Mëngjesin e kësaj të enjteje, një ngjarje e rëndë dhe tragjike tronditi vendin, pasi një efektiv i Policisë së Shtetit humbi jetën në krye të detyrës gjatë një operacioni për kapjen e një personi në kërkim në zonën e Lozhanit, në Maliq.
Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit, rreth orës 03:00-04:00, kur një grup prej 7 deri në 8 efektivësh policie, mes tyre edhe punonjës të forcave "Shqiponja", u nisën drejt një stani në një zonë të thellë malore të Lozhanit. Sipas informacioneve paraprake, policia kishte siguruar të dhëna një ditë më herët se në këtë stan fshihej 43-vjeçari Violand Braçellari, një person i shpallur në kërkim dhe i dënuar me 10 vite burg për veprën penale të prodhimit dhe shitjes së narkotikëve.
Pasi mbërritën në afërsi të strehës ku dyshohej se qëndronte Braçellari, efektivët organizuan operacionin për kapjen e tij në flagrancë. Zona u rrethua dhe policia i bëri thirrje të përsëritura 43-vjeçarit që të dorëzohej. Megjithatë, ai refuzoi t'u bindet urdhrave të uniformave blu.
Sipas burimeve hetimore, Braçellari kishte arritur të dallonte lëvizjet e policisë dhe sapo ka kuptuar praninë e tyre, ka hapur zjarr në drejtim të efektivëve.
Si pasojë e të shtënave, efektivi i forcave "Shqiponja", Enea Mekolli, 34 vjeç, mbeti i vrarë në krye të detyrës, duke mos arritur t'u mbijetojë plagëve të marra. Ndërkohë, kolegu i tij, Edison Adri, 36 vjeç, mbeti i plagosur në pjesën e nofullës. Ai mori ndihmën e parë mjekësore dhe më pas u transportua me helikopter drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ku fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
*Vendi ku autori fshihej
Gjatë kundërpërgjigjes së policisë, autori Violand Braçellari u plagos në pjesën e barkut dhe u neutralizua. Ai u arrestua dhe fillimisht u transportua drejt Spitalit Rajonal të Korçës për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore, ndërsa më pas pritet të transferohet në Tiranë për trajtim më të specializuar.
Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje mbërritën drejtues të lartë të Policisë së Korçës, ndërsa zona u rrethua nga forca të shumta policore. Hetuesit nisën punën për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe zbardhjen e çdo detaji që lidhet me operacionin dhe shkëmbimin e zjarrit.
Violand Braçellari konsiderohej nga autoritetet si person me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Në vitin 2017 ai u dënua me 10 vite burg nga Gjykata e Korçës për prodhim dhe trafik narkotikësh. Vendimi u la në fuqi edhe nga Apeli dhe më pas nga Gjykata e Lartë në janar të vitit 2024. Gjithashtu, në vitin 2024 ai u mor i pandehur nga Prokuroria e Korçës për veprën penale të "plagosjes së lehtë me dashje". Në janar të vitit 2026, Gjykata e Korçës kishte urdhëruar njoftimin e tij për një seancë gjyqësore, pasi nuk ishte gjetur në adresën e banimit në Lozhan të Maliqit.
Ngjarja ka ngritur gjithashtu pikëpyetje mbi mënyrën se si Braçellari ndodhej i lirë, pavarësisht dënimit të formës së prerë me 10 vite burg, një çështje që pritet të jetë pjesë e hetimeve dhe verifikimeve të mëtejshme nga institucionet përkatëse.
View this post on Instagram
Tragjedia ka sjellë reagime të shumta nga politika dhe institucionet. Deputeti Niko Peleshi e cilësoi ngjarjen si tepër të rëndë dhe shprehu ngushëllimet për familjen e efektivit të ndjerë, kolegët dhe Policinë e Shtetit, duke vlerësuar sakrificën e tij në shërbim të rendit dhe sigurisë publike.
“I rëndë dhe i dhimbshëm lajmi për rënien në krye të detyrës të efektivit të Policisë së Shtetit, Enea Mekolli, gjatë një operacioni policor në Maliq. Ngushëllimet më të sinqerta shkojnë për familjen e tij, të afërmit, kolegët dhe gjithë Policinë e Shtetit në këtë moment. Sakrifica e tij në shërbim të ligjit, rendit dhe sigurisë së qytetarëve meriton respektin dhe mirënjohjen më të lartë. U prehtë në paqe”, shkruan Peleshi.
Ndërkohë, kryeministri Edi Rama njoftoi se efektivi Enea Mekolli do të shpallet "Dëshmor i Atdheut", në nderim të sakrificës së tij gjatë kryerjes së detyrës.

