Lorenc Kosta, qytetari që mbeti i plagosur nga të shtënat me armë të "Komuna e Parisit" mesditën e sotme, dyshohet se e ka "provokuar" vetë konfliktin me punonjësin e Policisë. Ai i ka ngacmuar atij gruan dhe në konflikt e sipër, Erjon Goxhara e ka qëlluar me armën e shërbimit.
Aktualisht, 45 vjeçari ndodhet në Spitalin e Traumës, nën mbikëqyrjen e mjekëve dhe jashtë rrezikut për jetën. Ai ka qëndruar për disa minuta në trotuar i plagosur, ndërsa kalimtarët e rastit i kanë lidhur plagën dhe kanë ushtruar presion mbi të, për të ndalur gjakderdhjen.
Newsbomb.al ka raportuar për ngjarjen që në momentet e para të saj dhe sjell më poshtë pamje nga rruga "Tish Daija". Pikërisht, në këtë zonë pranë një kompleksi të njohur banimi, Lorenc Kosta ka ngacmuar gruan e Erjon Goxhares dhe ky i fundit e ka plagosur me armë.
Erjon Goxhara shërben si efektiv pranë Drejtorisë së Policisë për Kufirin dhe Migracionin në Tiranë dhe dyshohet se plagosjen e ka kryer me armën e shërbimit, të cilën e mbante me vetë edhe përse nuk ishte në detyrë në momentin e ngjarjes.
Ai ka biseduar vetë me drejtorin e Policisë Tiranë, Tonin Vocaj, dhe sipas deklarimeve të këtij të fundit është në gjendje të rënduar psikologjike.
"Punonjësi i Policisë ka qenë jashtë orarit të punës. Kam komunikuar unë drejtpërdrejt me efektivin, është në gjendje shumë të rënduar. Kemi shumë forca në terren, që të shmangim ndonjë ngjarje tjetër më të rëndë", u shpreh Tonin Vocaj.
Ai përsëriti edhe përmes medias thirrjen për punonjësin e Policisë që të dorëzohet dhe të shmangë ndonjë akt më të rëndë, duke ju referuar vetëvrasjes në kushte të rënduara psikologjike, sepse qytetari i plagosur ndodhet jashtë rrezikut për jetën, raporton newsbomb.al.