
Hamza Lici, vëllai i një prej eksponentëve më të rëndësishëm të krimit në qytetin e Shkodrës, Ibrahim Lici, ka mbetur i vdekur nga breshëria e plumbave që është derdhur mbi makinën me të cilën ai udhëtonte pasditen e kësaj të mërkure në Dobraç.
Mercedesi S Class me targa kroate që shihet jashtë rruge, dukshëm pasi ka humbur kontrollin nga breshëria e plumbave që e kanë përshkruaj nga disa drejtime, sapo ishte futur në zonën e Dobraçit, ose zona e "SMT-së".
Dobraçi njihet në kryeqendrën e veriut si një lagje nën kontrollin e fisit Bajri, me në krye Behar Bajrin, i cili prej muajsh ndodhet në qeli. Ai njihet për hasmërinë e hapur me fisin Lici, në krye të të cilit është Ibrahim Lici, deri disa muaj më parë me vendndodhje në Turqi.
Vëllai i tij ka mbetur sot i vdekur sapo makina ku ai ndodhej ka hyrë në Dobraç, por nuk dihet nëse autorësia e atentatit mafioz i përket fisit Bajri, apo vrasja mafioze lidhet me rrethana të tjera të kohëve të fundit.
E vdekur ka mbetur dhe një grua që po kalonte rastësisht me bashkëshortin në këtë segment rrugor. Ata ishin duke lëvizur me motor, kur nga një makinë tjetër është qëlluar me breshëri plumbash drejt Mercedesit të Licëve. Mjeti i tyre ka dalë nga dhe ka përplasur çiftin e bashkëshortëve.
Si pasojë e përplasjes së automjetit me motomjetin ka ndërruar jetë shtetasja Flutura Basha dhe ndodhet në gjendje të rëndë në spital shtetasi Bashkim Bushati.
Si u zbulua nga bisedat e zhvilluara në aplikacionin e komunikimeve sekrete "Sky Ecc", Behar Bajri prej viti 2020 ishte angazhuar maksimalisht për të kapur dhe ekzekutuar Ibrahim Licin. Madje, personi me të cilin ai komunikonte, i thoshte së nëse arrinte të kapte "Braçen", e bënte Shkodrën Republikë.
“…vëlla jam tu mundu me zan Braçen tash…” shkruante në mesazhe Behar Bajri, i cili prej muajsh është arrestuar dhe ndodhet në qeli, me kërkesë të SPAK sepse ndaj tij rëndojnë disa akuza të rënda penale. Fisi Lici dhe fisi Bajri prej vitesh janë në hasmëri të hapur në qytetin e Shkodrës.
“…vëlla me zan atë ke marrë Shkodrën, e ke ba Shkodrën Republikë, me hi me pasaportë si në Vatikan…” shprehej bashkëbiseduesi në "Sky Ecc", ndërsa Behar Bajri ia kthente “…tesh po pres dita ditës…”