Hapësire reklamuese

Aktualitet

VIDEO/ Me shapka dhe tuta të shkurtra, si u sollën në Shqipëri Dervishaj dhe Meçaj?! Dritëhijet e një operacioni të fshehtë policor

Shkruar nga Newsbomb
VIDEO/ Me shapka dhe tuta të shkurtra, si u sollën në
Ekstradimi Julian Meçaj dhe Plaurent Dervishaj nga Emiratet

Plaurent Dervishaj dhe Julian Meçaj, dy ndër njerëzit më të kërkuar nga drejtësia shqiptare, janë ekstraduar këtë të mërkurë në Shqipëri. Ata strehoheshin prej kohësh në Dubai, duke shfrytëzuar mungesën e një marrëveshje ekstradimi dhe vazhdonin të qetë jetën në Perlën e Gjirit.

Pavarësisht se ndaj tyre rëndonin disa akuza për vepra të rënda penale, kunati i Lul Berishës dhe ish-numri dy i Bandës së Durrësit vazhdonin të qetë jetën deri të paktën mbrëmjen e djeshme.

Siç shihet dhe nga pamjet, ata janë sjell në Shqipëri me rrobat e trupit, të veshur me shapka dhe tuta të shkurtra. Kryepolici Muhamet Rrumbullaku zbuloi sot papritur se këta dy shtetas ndodhen në dhomat e sigurisë në Drejtorinë e Policisë Tiranë, por askush nuk e di sesi erdhën.

A u ekstraduan Plaurent Dervishaj dhe Julian Meçaj, apo Emiratet zgjodhën t'i deportonin, si një mënyrë për "të kënaqur" Policinë Shqiptare?

Në kushtet e mungesës së një marrëveshje ekstradimi, mundësia e vetme që një shtetas i huaj (në rastin tonë shqiptar) të ekstradohet, është vetëm përmes deportimit. Autoritetet në Emiratet e Bashkuara Arabe mund ta dorëzojnë një shtetas të kërkuar pranë autoriteteve të vendit kërkues, si person të padëshiruar në Dubai, por kjo është shumë e rrallë.

Një mundësi tjetër, por që nuk lidhet shumë me autoritetin e dy vendeve sesa me njohuritë vetjake të personit të kërkuar, është që një shtetas i kërkuar të dalë nga Dubai dhe të udhëtojë drejt një qyteti tjetër që lejon ekstradimet.

Kjo situatë ka ndodhur pak ditë më parë me një personazh shumë të lartë të krimit shqiptar, i cili ka udhëtuar me avion drejt Emirateve të Bashkuara dhe është ulur në një aeroport që nuk i përket emiratit të Dubait, duke bërë që autoritetet ta arrestonin menjëherë dhe t'i hapnin rrugë ekstradimit drejt Belgjikës.

Dubai, qyteti i cilësuar shpesh si "Perla e Gjirit" apo "Qyteti i Mrekullive" për shkak të zhvillimit dhe modernizimit të lartë është kthyer në strehën e kriminelëve dhe bosëve të grupeve kriminale nga gjithë bota, për shkak se nuk ka asnjë marrëveshje ekstradimi me shtetet e tjera.

Ai është qyteti më i populluar në Emiratet e Bashkuara Arabe (UA) kryeqyteti i Emiratit të Dubait, më i populluari nga shtatë emiratet e vendit dhe ka disa praktika që bëjnë përjashtim nga qytetet dhe emiratet e tjera, duke aplikuar ligje dhe rregulla më strikte.

14 Gusht 2024 - Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit

Sillen nga Dubai në Tiranë shtetasit e shumëkërkuar Plarent Dervishaj dhe Julian Meçaj, kapet në Gjermani shtetasi Fabio Ballabani

Policia e Shtetit, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë dhe Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në sajë të punës profesionale hetimore dhe gjurmuese të njësive të specializuara pranë Departamentit të Policisë Kriminale, mundësoi sjelljen nga Emiratet e Bashkuara Arabe në Shqipëri të personave të shumëkërkuar Plarent Dervishaj dhe Julian Meçaj.

Struktura e Forcës së Posaçme Operacionale, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Kufitare Rinas, organizuan punën dhe realizuan shoqërimin e dy shtetasve për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Shtetasi Plaurent Dervishaj është person i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar ndaj tij masën “arrest në burg” për “pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal” dhe “kryerjen e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”.

Më datë 26.02.2005, në Durrës, shtetasi Plaurent Dervishaj, në bashkëpunim  me I. T., L. B. dhe L. R. dyshohet se, kanë vrarë shtetasin Klodian Saliu, me armë zjarri.  

Më datë 27.02.2005, Plaurent Dervishaj, në kuadër të grupit të organizuar kriminal, në bashkëpunim me subjekte të tjerë të hetuar, përkatësisht E. Sh., I. T., L. B., etj., dyshohet se kanë vrarë shtetasit Vajdin Lamaj dhe Artan Arsi, me eksploziv.

Ndërsa shtetasi Julian Meçaj është person i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar ndaj tij masën “arrest në burg” për “pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”, “kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”.

Më datë 01.11.2019, në autostradën Durrës-Tiranë, pranë mbikalimit të Shkozetit, është gjuajtur disa herë me armë ndaj automjetit të drejtuar nga Andi Maloku (i cili humbi jetën), ku pasagjer ishin edhe A. N. dhe A. L. Nga hetimet, Julian Meçaj është identifikuar si një nga autorët, duke e kryer këtë krim në bashkëpunim me shtetas të tjerë.

Gjithashtu, si rezultat i shkëmbimit të informacioneve intensive të “Fast Albania”  me “Fast Gjermani” është bërë e mundur kapja me qëllim ekstradimi i shtetasit në kërkim ndërkombëtar Fabio Ballabani.

Me vendim të Gjykatës Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ndaj Fabio Ballabanit është vendosur masa e sigurisë “arrest me burg” për veprat penale “goditje ndaj pjesëtarëve të familjes të një personi, i cili kryen një detyrë shtetërore në sistemin e drejtësisë, e kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal”, “grup i strukturuar kriminal”, “kryerja e veprave penale nga grup i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku, vlerësoi operacionet e strukturave të specializuara të policisë dhe bashkëpunimin me SPAK dhe partnerët ndërkombëtarë.

© Newsbomb.al

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese