Gjyqtari Astrit Kalaja raportohet se ka mbetur i plagosur pak minuta më parë, si pasojë e një ngjarje të rëndë që ka ndodhur në ambientet e Gjykatës së Apelit në Tiranë. Të shtënat me armë zjarri raportohet se kanë ndodhur brenda sallës së gjyqit.
Forca të shumta të Policisë së Shtetit dhe ekipe nga urgjenca mjekësore kanë mbërritur menjëherë në Bulevardin Zhan D'Ark, buzë lumit Lana, aty ku ndodhet selia e Gjykatës së Apelit në kryeqytet.
Deri tani, nuk ka informacion për gjendjen shëndetësore të gjyqtarit Astrit Kalaja, por ajo që dihet me siguri është se fatkeqësisht Astrit Kalaja është prekur nga plumbat. Ndërkohë, i plagosur ka mbetur dhe një person tjetër, por s'është e qartë nëse bëhet fjalë për autorin apo person tjetër.
Newsbomb.al. mëson se gjyqtari Astrit Kalaja, një ndër figurat më të njohura për integritetin dhe profesionalizmin në sistemin e drejtësisë shqiptare, ka mbetur i plagosur në gjymtyrët e poshtme dhe në krah. Një ngjarje e rëndë që ka tronditur kryeqytetin dhe mbarë opinionin publik.
Në hyrje të çdo gjykate në Republikën e Shqipërisë, ka detektorë të instaluar të cilët paralajmërojnë për sende apo mjete të ndaluara, ndaj nuk dihet sesi autori ka mundur të futet me armë zjarri në ambientet e Gjykatës së Apelit.
Rrethanat e ngjarjes dhe identiteti i autorit nuk janë ende publike. Pritet që Policia e Tiranës të dalë me një komunikatë zyrtare për rastin e ndodhur pak minuta më parë në bulevardin buzë lumit Lana, pak metra poshtë ish-ATSH.

