Skandali me 816 ton mbetje toksike të eksportuara nga Shqipëria me destinacion Tajlandën, e vë vendin tonë para një rreziku të madh. Teksa anijet me 100 kontejnerët janë ndaluar dhe do të kthehen sërish në Shqipëri, pyetja që lind natyrshëm është: Ku do të shkojnë ato mbetje?
Në një kohë kur organet kompetente po hetojnë se si është e mundur që një sasi e madhe e pluhurit të furrave të çelikut të dalë nga porti i Durrësit pa një eksportues “De Juro”, emergjente është situata për të zgjidhur se ku do të përfundojnë këto 816 tonë.
Në media është raportuar se mbetjet i takojnë kompanisë “Kurum” në Elbasan, me turqit që dolën dje me reagim duke theksuar se nuk janë ata eksportuesit. Ndërsa zhurma është e madhe për të gjetur dhe për të vënë para përgjegjësisë fajtorët, po aq e madhe është nevoja për ndërhyrje të menjëhershme që këto mbetje të mos “treten” në Shqipëri.
Padyshim që vendi ynë nuk i ka kapacitetet e përpunimit të mbetjeve toksike, andaj është e nevojshme që shteti të ndërhyjë për të shmangur një katastrofë mjedisore. Në shumë vende të huaja, qoftë europiane apo aziatike është e mundur që të bëhet ndarja e përbërësve të rrezikshëm si kadmiumi dhe kromi, që janë të dëmshëm për shëndetin dhe mjedisin.
Loja “kukafshehti” mes Ministrisë së Mjedisit dhe privatit nuk ka asnjë lloj vlere para nevojës imediate për të gjetur “strehë” për mbetjet toksike, para se Shqipëria të helmohet nga ato si vend i origjinës.