Efektivi i Policisë, Erjon Goxhara, në gjaknxehtësi plagosi me armën e shërbimit 45-vjeçarin Lorenc Kosta. Ngjarja e rëndë u regjistrua te “Komuna e Parisit”, në Tiranë. Burime për mediat bëjnë me dije se në vendin e ngjarjes hetuesit kanë gjetur 6 gëzhoja.
Nga pamjet e kapura nga kamerat e bizneseve përreth zonës ku dhe ndodhi ngjarja mësohet se Kosta ka qenë duke ecur në këmbë në afërsi të kompleksit “Kika 2”, ndërsa efektivi i Policisë ka qenë duke qarkulluar me automjetin e tij.
Në momentin që Goxhara e ka parë 45-vjeçarin, ka ndaluar dhe e ka qëlluar atë në këmbë. Më pas dyshohet se efektivi i ka bërë foto Kostës i cili ndodhej i shtrirë në trotuar dhe i mbuluar në gjak.
Aktualisht, 45-vjeçari ndodhet në Spitalin e Traumës, nën mbikëqyrjen e mjekëve dhe jashtë rrezikut për jetën, ndërkohë Policia po punon për kapjen e autorit, Erjon Goxharës.
Ai ka biseduar vetë me drejtorin e Policisë Tiranë, Tonin Vocaj, dhe sipas deklarimeve të këtij të fundit është në gjendje të rënduar psikologjike.
"Punonjësi i Policisë ka qenë jashtë orarit të punës. Kam komunikuar unë drejtpërdrejt me efektivin, është në gjendje shumë të rënduar. Kemi shumë forca në terren, që të shmangim ndonjë ngjarje tjetër më të rëndë", u shpreh Tonin Vocaj.
Sakaq, dyshohet se Lorenc Kosta e ka “provokuar” vetë konfliktin me punonjësin e Policisë. Sipas asaj që është raportuar deri më tani dyshohet se Kosta i ka ngacmuar atij gruan dhe në konflikt e sipër, Erjon Goxhara e ka qëlluar me armën e shërbimit.

