Policia e Lezhës ka identifikuar dhe arrestuar një person, ndërsa ka shpallur në kërkim një tjetër, të dyshuar si autorë të shpërthimit me tritol që ndodhi një ditë më parë në fshatin Balldren i Vjetër.
Sipas njoftimit të policisë, në pranga është vënë shtetasi Astrit Avdiaj, 55 vjeç, banues në Tiranë. Ndërkohë, është shpallur në kërkim bashkëpunëtori i tij, shtetasi Ermal Zalla, 35 vjeç, banues në Krujë, ndërsa vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Policia bën me dije se hetimet për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes janë ende në vijim. Siç raportuam edhe një ditë më parë, dyshohet se lënda plasëse ishte vendosur pranë banesës së familjes Nikulaj.
Njoftimi i Policisë:
Lezhë/Vijojnë hetimet dhe veprimet operacionale, me qëllim nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të autorëve të ngjarjes së ndodhur dje, në fshatin Balldren i Vjetër.
Vihet në pranga njëri nga autorët e shpërthimit të lëndës plasëse.
Identifikohet dhe shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tij.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera nga grupi i posaçëm nën drejtimin e Prokurorisë së Lezhës, për identifikimin dhe kapjen e autorëve të ngjarjes së datës 10.06.2026, në fshatin Balldren i Vjetër, ku në një sipërfaqe toke shpërtheu një sasi e lëndës plasëse (pa shkaktuar dëme), specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Lezhë bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit A. A., 55 vjeç, banues në Tiranë.
Po në vijim të veprimeve u bë e mundur identifikimi dhe shpallja në kërkim e bashkëpunëtorit të tij, shtetasit E. Z., 35 vjeç, banues në Krujë dhe vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Ndërkohë, vijon hetimi për të sqaruar dhe dokumentuar motivin e kësaj ngjarjeje.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Lezhës, për veprime të mëtejshme.

