Dy persona janë arrestuar sërish ditën e sotme në kryeqytet, pasi fotografuan fletën e votimit.
Sipas njoftimit të policisë, mësohet se shtetasit Hasan Doka, 57 vjeç, dhe Redion Lelo, 28 vjeç, janë denoncuar nga kryetarët e komisioneve për fotografimin e fletëve të votimit.
Shtetasit janë të akuzuar për veprën penale “Shkelja e fshehtësisë së votimit”.
Njoftimi i policisë:
Tiranë/Vihen në pranga 2 shtetas të tjerë, të cilët fotografuan fletët e tyre të votimit.
Në vijim të informacionit paraprak të dhënë më parë, se shërbimet e komisariateve të Policisë Nr. 3 dhe Nr. 4 kishin shoqëruar në ambientet e Policisë, 2 shtetas që sipas njoftimeve të kryetarëve të komisioneve të qendrave ku kishin votuar, kishin fotografuan fletët e tyre të votimit, informojmë se:
Në vijim të veprimeve procedurale në lidhje me këto raste, është bërë arrestimi në flagrancë i këtyre 2 shtetasve, konkretisht H. D., 57 vjeç dhe R. L., 28 vjeç, për veprën penale “Shkelja e fshehtësisë së votimit”.
Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë, për veprime të mëtejshme në lidhje me rastet.
