Një incident u raportua mbrëmjen e djeshme në Dibër, ku kandidati për deputet i PD, Xhemal Gjunkshi dhe djali i tij Edis Gjunkshi, bllokuan tre makina me pretendimin se po shpërndanin para në këmbim të votës për PS-në në fshatin Pilafe.
Përveç blerjes së votave, ata kanë pretenduar gjithashtu se një efektiv ka qëlluar me armë në drejtim të vendit ku ndodhi incidenti. Ndërkohë, blutë e Dibrës kanë dalë me një njoftim zyrtar, ku kanë mohuar këto pretendime.
Policia bën me dije se në lidhje me këtë prentendim, pas këqyrjen së vendit të ngjarjes nuk janë gjetur gëzhoja apo indicje të tjera se ky punonjës ka përdorur armën. Më pas është bërë shoqërimi i punonjësit të policisë, të cilit i është sekuestruar arma shërbimit dhe janë kryer një sërë veprimesh të tjera hetimore.
Njoftimi i policisë:
Në vijim të informacionit paraprak të dhënë mbrëmjen e djeshme ku shtetasi Xh.Gj., (kandidat për deputet i subjektit politik Partia Demokratike), telefonoi sallën operative të Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër duke pretenduar se në fshatin Pilafe, njësia Administrative Tomin, kishte ndaluar shtetasin E.C., që dyshohej se shpërndante para në këmbim të votave, ju informojmë se;
Menjëherë me marrjen e telefonatës, në adresën e dhënë ka shkuar grupi i posaçëm hetimor i Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër dhe drejtuesit e DVP dhe të Komisariatit Dibër.
Nën drejtimin e Prokurorit të Posaçëm, Prokurorit të Rrethit dhe të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, kanë vijuar veprimet për menaxhimin, ndjekjen dhe hetimin e plotë të situatës.
Në vendin e ngjarjes, janë konstatuar të bllokuara nga kandidati për deputet shtetasi Xh.Gj., shtetasi E.Gj., dhe persona të tjerë, automjetet e shtetasve I.C., dhe R.D.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorëve, ka bërë këqyrjen e këtyre automjeteve ku nuk është konstatuar asgjë me interes për hetimin.
Në vijim të dyshimeve për automjete që shpërndanin vlera monetare, shtetasi E.M., dhe A.H(Gj), i janë vënë në ndjekje një automjeti tjetër që drejtohej nga shtetasi I.Sh., nga ku është dëmtuar automjeti i shtetasit E.M.
Gjithashtu, shtetasi Xh.Gj., ka shprehur pretendimin se ka qenë dhe punonjësi i policisë, shtetasi E.Gj (i ati i kandidatit për deputet të subjektit politik Partia Socialiste shtetasi D.Gj) që po përpiqej të shpërndante para në shkëmbim të votës dhe pasi janë vënë në ndjekje simpatizantët e subjektit politik të Partisë Demokratike, ai është larguar dhe ka qëlluar në ajër me armë zjarri.
Në lidhje me këtë pretendim, grupi hetimor nën drejtimin Prokurorëve, ka realizuar këqyrjen e vendit të ngjarjes dhe nuk janë gjetur gëzhoja apo indicje të tjera se ky punonjës ka përdorur armën.
Në lidhje me rastin, është shoqëruar në ambientet e Komisariatit punonjësi i policisë shtetasi E.GJ, ku nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore i është sekuestruar arma shërbimit dhe janë kryer një sërë veprimesh të tjera hetimore.
Sa më sipër, Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër për kompetencë dhe për vlerësim, kanë referuar materialet pranë SPAK, për veprat penale “Vetëgjyqësia” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit rrugor”, parashikuar nga nenet 277 dhe 293 të Kodit Penal, në ngarkim të shtetasve Xh.Gj., 62 vjeç, dhe E.Gj., 33 vjeç, si dhe për veprën penale “Shkatërrimi i pronës”, parashikuar nga neni 150 i Kodit Penal, në ngarkim të shtetasit I.Sh., 35 vjeç.
