
Kontakti i parë me besimin ishte në vitet 1974-1975, ku u bë pjesë e një kishe të nëndheshme. Karriera që nga kungimi, kërkimi i lirisë, shkollimi në Amerikë dhe rikthimi në Kishën Ortodokse Shqiptare, deri në postin e lartë të Mitropolitit të Korçës. Këndvështrimi i teologut të njohur rreth dilemave të njerëzimit mbi ekzistencën dhe lirinë.
Imzot Joan Pelushi, ka lindur në Tiranë në 02.01.1956. Që në rininë e tij të hershme, në kohën më të egër të persekutimit fetar, u pagëzua fshehurazi nga prifti hero, më vonë peshkopi i Apollonisë, z. Kozma Qirio, duke u bërë pjesë e një grupi të vogël të kishës së nëndheshme.
Në vitet 1979-1990 punoi në Spitalin Psikiatrik të Tiranës, ndërsa në vitin 1990 u largua nga Shqipëria për në USA ku kreu studimet në teologji në Universitetin “Holy Cross Greek Orthodox School of Theology” në Boston, USA, ku u diplomua me “High Distinction” në MTS (Master i Studimeve Teologjike) në vitin 1993.
Në vitin 1992, ai kontaktoi Kryepeshkopin Anastas dhe i parashtroi vendimin e tij për tu kthyer në Shqipëri, në një kohë kur të gjithë donin të largoheshin nga vendi. Kjo dëshirë dhe ky vendim u prit më gëzim nga Kryepeshkopi, i cili e inkurajojë dhe e përgëzoi. Në Shtator të atij viti u kthye në Shqipëri dhe filloi të punonte si pedagog në Akademinë Teologjike të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.
Në 1995 shkon përsëri për të ndjekur studime të mëtejshme në Universitetin “Holy Cross Greek Orthodox School of Theology” në Boston, USA.
Për rezultate të larta në sezonin akademik 1995-1996 ishte në Listën Kombëtare të Dekanit (The National Dean’s List), ku shkruhen emrat e studentëve më të mirë të të gjithë universiteteve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në vitin 1996 u ngrit në rangun e arkimandritit. Në vitin 1997 u diplomua përsëri me “High Distinction” në MT (Master i Teologjisë, një master i avancuar, ekuivalent me kandidat i shkencave) po në Holy Cross, Boston. U kthye në Shqipëri ku u emërua dekan i Akademisë Teologjike të Kishës Ortodokse, detyrë në të cilën qëndroi nga viti 1996 deri në 1998, deri sa u emërua Mitropolit.
Në vitin 1998 u zgjodh dhe u dorëzua peshkop, si mitropolit i Korçës, duke vazhduar të ishte përsëri pedagog në Akademinë Teologjike. Ai ka përgatitur tekstet e Dogmatikës dhe ka përkthyer shumë libra, si edhe ka botuar shumë artikuj në gazeta, revista dhe periodikë studimorë të huaj dhe të vendit. Përveç gjuhës së tij amtare shqipes, zotëron anglishten, frëngjishten italishten, greqishten dhe ka njohuri në latinishten dhe hebraishten.
Ka përkthyer disa libra teologjikë në shqip, përfshirë edhe përkthime të vështira nga etërit e kishës, si “Mbi Shpirtin e Shenjtë” të Vasilit të Madh, një libër i cili është bazë në zhvillimin e doktrinës së krishterë. Kontributi në këto përkthime është në formimin, unifikimin dhe përcaktimin e terminologjisë filozofiko-fetare, sepse ka pasur mangësi në literaturën shqipe në këtë fushë. Kontributi i Imzot Joan Pelushit në fushën e terminologjisë është vlerësuar nga studjues të vendit dhe të huaj. Joan Pelushi ka shkruar tekstin e parë të Dogmatikës në shqip, tekst që përdoret si botimi zyrtar i Kishës Ortodokse në Shqipëri.
Në vitin 2000 ka themeluar dhe vazhdon të drejtojë Revistën periodike “Tempulli”, që është bërë tashmë një nga revistat më serioze në fushën studimore dhe kulturore, ku marrin pjesë intelektualë, studjues dhe albanologë nga më të njohurit, si nga Shqipëria ashtu edhe nga jashtë vendit. Ai është jo vetëm kryetari i redaksisë së revistës, por edhe një nga kontribuesit kryesor në shkrimet e saj. Gama e shkrimeve është e gjërë: në fushën e kulturës, përkthimeve, shkencës, arkeologjisë, filozofisë, teologjisë, historisë, së kritikës së artit, të figurave të shquara të vendit dhe historisë kulturore të vendit tonë, rajonit dhe më gjerë.
Ka përfaqësuar Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë në shumë takime ndërkombëtare, si referues dhe si pjesëmarrës në grupet e hartimit të teksteve, deklaratave dhe mesazheve të ndryshëm. Ka përfaqësuar në nivel të lartë Kishën Ortodokse Botërore në shumë grupe pune të Këshillit Botëror të Kishave dhe ishte një nga anëtarët e grupit të rëndësishëm të punës (Joint Ëorking Group) me një mandat pesëvjeçar për hartimin e bashkëpunimit ndërmjet Këshillit Botëror të Kishave dhe Kishës Romano-Katolike.
Përfaqësoi, gjithashtu, Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, gjatë pothuajse një dekade, në hartimin e dokumenteve shumë të rëndësishëm për përgatitjen e Sinodit të Madh dhe të Shenjtë, që u mbajt në qershor të vitit 2016, në Kretë.
Vazhdon të përfaqësojë me dinjitet Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë në dialogun shumë të rëndësishëm ndërmjet Kishave Orthodhokse dhe asaj Romano-Katolike, si edhe ndërmjet Kishave Orthodokse dhe Kishave Orientale.
Është ftuar si lektor në dhjetëra konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare, duke dhënë një kontribut të madh sidomos në fushën e teologjisë, historisë dhe filozofisë.
Jep një kontribut të madh në jetën shoqërore dhe humanitare të qytetit të Korçës, si në fushën studimore dhe kulturore, ashtu edhe në atë humane.
Kontributi i tij nuk është vetëm në fushën kulturore, shkencore dhe humanitare të qarkut të Korçës, por edhe në atë të forcimin të bashkëjetesës, të dialogut ndërfetar dhe të formimit atdhedashës.
Për këto kontribute të shquara është nderuar duke u shpallur në 23.07.2003 “Qytetar Nderi i Qarkut Korçë” me motivacionin “Për kontribut të shquar në kultivimin e tolerancës dhe mirëkuptimit fetar. Shkencëtar, botues, përkthyes i librave teologjikë në gjuhën shqipe. Ndihmues në emancipimin dhe vëllazërimin qytetar për Qarkun e Korçës dhe më gjërë.” Në 18.08.2008 është shpallur nga Këshilli bashkiak i qytetit të Korçës “Qytetar Nderi” me motivacionin “Për merita të shquara për ringjalljen e besimit si dhe për veprat e shumta në fushën humane dhe sociale”.
Në 23.07.2018 Universiteti “Fan S. Noli” Korçë i jep titullin “Doctor Honoris Causa” me motivacionin: “Personalitet i shquar i botës shpirtërore dhe fetare, humanist i madh, përkthyes, themelues i revistës periodike “Tempulli”, duke dhënë ndihmesa të shquara në fushën e kulturës, arkeologjisë, filozofisë, teologjisë, historisë, albanologjisë etj.; bashkëpuntor i ngushtë dhe mik i Universitetit “Fan S. Noli”, me rastin e 20-vjetorit të fronëzimit të tij si Mitropolit i Korçës”.
Në 29.05.2019, Bashkia Tiranë i jep Çertifikatë Mirënjohje me motivacion: Si një vlerë me përmasa kombëtare dhe ndërkombëtare, si shembulli më model i promovimit të paqes, harmonisë dhe bashkëjetesës fetare. Respekt dhe mirënjohje pafund për tërë kontributin e tij të shquar në shërbim të komunitetit dhe njerëzve në nevojë.