Një krim i rëndë në familje tronditi mesditën e kësaj të enjte qytetin e Shkodrës, ku një grua 55-vjeçare mbeti e vrarë pasi dyshohet se u qëllua me armë gjahu nga bashkëshorti i saj. Ngjarja e rëndë ndodhi në lagjen “Mark Lula”, duke shkaktuar tronditje të madhe te banorët e zonës, të cilët njoftuan menjëherë Policinë pasi konstatuan trupin e pajetë të gruas të shtrirë në anë të rrugës.
Siç kemi raportuar edhe më herët, autori i dyshuar është Shtjefën Ziçi, 62 vjeç, ndërsa viktima është bashkëshortja e tij, Bardhe Ziçi, 55 vjeçe. Sipas informacioneve paraprake, 62-vjeçari dyshohet se e ka qëlluar gruan me armë gjahu, tip çifte, pas një konflikti që dyshohet të ketë ndodhur për motive të dobëta. Si pasojë e plagëve të marra, 55-vjeçarja ka humbur jetën në vendngjarje.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në lagjen “Mark Lula” mbërritën forca të shumta policie, të cilat rrethuan zonën dhe nisën veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të ngjarjes, ndërsa autori i dyshuar u shoqërua në Komisariat pa bërë rezistencë. Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes u sekuestrua edhe arma e gjahut, me të cilën dyshohet se u krye krimi.
Pamjet që sjellim nga vendngjarja janë të rënda. Ato tregojnë trupin e pajetë të 55-vjeçares të shtrirë në anë të rrugës, i mbuluar në gjak, ndërsa efektivët e Policisë dhe grupi hetimor kryejnë veprimet procedurale për mbledhjen e provave dhe zbardhjen e plotë të dinamikës së kësaj ngjarjeje tragjike.
Mes lotëve ka folur dhe një e afërme e çiftit e cila është shprehur për mediat vendase se të dy burrë e grua kanë qenë njerëz të qetë. Madje sipas saj askush prej familjarëve, apo fqinjëve në lagje, nuk ka qenë në dijeni për konfliktet që mund të kishin ata.
"U tronditëm. Nuk dinim gjë për ndonjë konflikt. Bardhe Ziçi ishte një grua e rrallë. Në dijeninë tonë kanë qenë një familje e rregullt, pa sherre. Ishin prindër të dy fëmijëve dhe jetonin vetëm në banesë. Edhe Shtjefni ishte njeri i mirë e i ndershëm. Kemi udhëtuar me makinë me të. Një fjalë të keqe nuk ua kemi dëgjuar kurrë. Na vjen shumë keq që përfundoi kështu kjo familje", u shpreh ajo.
Pavarësisht dëshmive të të afërmve se çifti njihej si një familje e qetë dhe pa konflikte, hetuesit po punojnë për të zbardhur motivin e plotë të krimit, ndërsa deri në këtë fazë dyshohet se ngjarja ka ndodhur pas një konflikti për motive të dobëta. Hetimet vijojnë për të sqaruar të gjitha rrethanat e kësaj ngjarjeje që ka tronditur mbarë qytetin e Shkodrës.
View this post on Instagram
