Policia e Vlorës ka arrestuar në flagrancë një 38-vjeçar, i cili u kap duke qarkulluar me automjet në Himarë, i armatosur me një pistoletë me fishek në fole dhe një granatë.
Sipas njoftimit të policisë, në pranga ra shtetasi Ermal Hamzo, 38 vjeç, banues në Vlorë, i cili rezulton me precedentë të mëparshëm penale për krime kundër personit.
Ky shtetas u ndalua nga shërbimet e policisë në zonën e njohur si "Kthesa e Pilurit", ku gjatë kontrollit në çantën e tij, blutë gjetën dhe sekuestruan një armë zjarri pistoletë me krehër të mbushur me fishekë, si dhe një granatë.
Më pas, kontrolli vijoi edhe në banesën e 38-vjeçarit në Vlorë, policia zbuloi një tjetër armë zjarri pistoletë, krehra, municion luftarak, dy jelekë antiplumb dhe dy jelekë multifunksionalë.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dy armët e zjarrit, granata, krehrat, municioni luftarak, katër jelekët antiplumb dhe multifunksionalë, automjeti i përdorur nga 38-vjeçari, si edhe dy telefona celularë.
Njoftimi i Policisë:
DVP Vlorë/Finalizohet operacioni i koduar “Siguria 2”, për rritjen e parametrave të sigurisë dhe parandalimin e ngjarjeve kriminale.
Sekuestrohen 2 armë zjarri pistoleta, 1 granatë, municion luftarak, 4 jelekë antiplumb/multifunksionalë, 1 automjet dhe 2 celularë.
Vihet në pranga 38-vjeçari i posedonte, shtetas me precedent penal për krime kundër personit.
Ai u kap në flagrancë nga Policia, në Himarë, duke qarkulluar me automjet, me pistoletë me fishek në fole dhe me granatë.
Si rezultat i kontrolleve të shtuara në territor, në kuadër të masave për rritjen e parametrave të sigurisë, parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale, shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë, në bashkëpunim me shërbimet e Sektorit të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, të DVP Vlorë, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan operacionin e koduar “Siguria 2”.
Në kuadër të këtij operacioni, u arrestua në flagrancë shtetasi E. H., 38 vjeç, banues në Vlorë, me precedent të mëparshëm penal për krime kundër personit.
Ky shtetas u ndalua nga shërbimet e Policisë, ndërkohë që qarkullonte me automjet në zonën e quajtur “Kthesa e Pilurit”, Himarë. Pas ndalimit të automjetit, gjatë kontrollit në çantën e këtij shtetasi, shërbimet e Policisë gjetën 1 armë zjarri pistoletë me krehër të mbushur me fishekë dhe 1 granatë.
Në vijim, gjatë kontrollit në banesën e 38-vjeçarit, në Vlorë, shërbimet e Policisë gjetën 1 armë zjarri pistoletë, krehra, municion luftarak, 2 jelekë antiplumb dhe 2 jelekë multifunksionalë.
2 pistoletat, granata, krehrat, municioni luftarak dhe 4 jelekët antiplumb/multifunksionalë, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bashkë me automjetin dhe 2 celularë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”
