Gjykata e Durrësit ka lëshuar 12 masa sigurie për ish-punonjës të Kadastrës së Durrësit, të cilët dyshohen se janë përfshirë në skemën e tjetërsimit të pronave në qytetin bregdetar. U raportua se masat e sigurisë janë lëshuar në kuadër të një hetimi 4-vjeçar të Prokurorisë.
Bëhet me dije se Policia e Durrësit ka vijuar punën për ekzekutimin e këtyre masave të sigurisë, ndërsa deri tani janë arrestuar disa persona. Aksioni vijon.
Po ashtu, mësohet se, në kuadër të një hetimi të kryer nga Prokuroria, është zbuluar se ka pasur ndërhyrje në regjistrat e pronave. Nga 1.063 dosje të kontrolluara, vetëm 152 kanë rezultuar të rregullta.
Gjithashtu, janë evidentuar faqe të zhdukura dhe të zëvendësuara në dokumentet që janë verifikuar nga prokuroria.
Ndërkohë, pritet një reagim zyrtar në lidhje me këtë çështje, ku do të bëhen publike edhe detajet e plota të operacionit.
