Ka mbyllur sytë përgjithmonë në moshën 75 vjeçare ylli i muzikës Bonnie Tyler, e nominuara për çmimin Grammy, zëri i së cilës fuqizoi disa nga hitet më të mëdha të viteve ’80.
Famiilja e saj njoftoi mëngjesin e sotëm se Bonnie, ndërroi jetë papritur ditën e djeshme (e mërkurë) në një spital në Portugali, ku ajo ishte duke marrë trajtim për një sëmundje. Ajo ishte shtruar në spital në Faro në maj për një operacion urgjent në zorrë dhe më vonë u vendos në koma të induktuar gjatë shërimit të saj. Edhe pse familja e saj tha në qershor se ajo kishte dalë nga koma, gjendja e saj mbeti e rënduar.
“Familja dhe ekipi i Bonnie me zemër të thyer njoftojnë se Bonnie ndërroi jetë papritur mbrëmë në spital në Portugali si pasojë e sëmundjes për të cilën po kurohej”, tha familja e saj në një deklaratë.
Vokali i saj i ashpër, u bë themel i hiteve të saj të mëdha, përfshirë këtu epokën e ndritur të saj në vitin 1983 me këngët “Total Eclipse of the Heart”, “Holding Out for a Hero”, “It's a Heartache” dhe “Lost in France”.
Gjatë karrierës së saj, të shtrirë në më shumë se 5 dekada, ajo shiti miliona disqe dhe u bë një nga yjet më të suksesshëm ndërkombëtarë të muzikës në Uells. Ironikisht, zëri dallues që e bëri të famshme ishte rezultat i një aksidenti. Pasi iu nënshtrua një operacioni për të hequr nyjet e kordave vokale në vitin 1977, mjekët e udhëzuan të heshtte gjatë rikuperimit. Tyler më vonë zbuloi se ajo kishte injoruar këshillat mjekësore dhe kishte bërtitur nga frustrimi një ditë, duke i dëmtuar përgjithmonë kordat vokale dhe duke krijuar tonin e ngjirur që do të bëhej shenja e saj dalluese.
E lindur si Gaynor Hopkins në Skeëen, të Uellsit Jugor në vitin 1951, Bonnie ishte e katërta nga gjashtë fëmijët e një nëne shtëoiake dhe babai minatory. Gjatë gjithë jetës së saj, ajo shpesh e shfaqte mirënjohjen kundrejt prindërve të saj pa “u kursyer”.
"Mendoj se mami dhe babi e patën shumë të vështirë, duke rritur një familje të madhe me shumë pak", i tha ajo The Guardian në vitin 2012.
Muzika e Bonnie Tyler i mbijetoi epokës që e bëri të famshme. Këngët e saj vazhduan të gjenin audiencë të re përmes filmave, televizionit, platformave të transmetimit dhe mediave sociale, duke vërtetuar se baladat rock të ngarkuara emocionalisht nuk dalin kurrë nga moda.
