Personazhi i famshëm i showbizit në Kosovë, Vali Corleone i shoqëruar nga e dashura e tij Anita, është paraqitur ditën e sotme në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku dhe u mbajt seanca e radhës gjyqësore për çështjen e shitblerjes së narkotikëve.
Duke mohuar akuzat e ngritura ndaj tij, i pyetur nga gjykata në lidhje me rastin, Corleone pretendon se është i pafajshëm dhe është i sigurt se nuk e ka kryer veprën penale për të cilën ai akuzohet.
Nën shoqërimin e partneres së tij Anita, Vali Corleone hyri dhe doli nga gjykata me pretendimin se është i pafajshëm, ndërsa pamjet e publikuara ku dyshja shfaqet duke kërkuar shoferin e tyre, kanë bërë xhiron e rrjetit.
Ndërsa bëhet me dije se seanca e sotme gjyqësore është shtyrë për shkak të mungesës së dëshmitarëve.
Referuar aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore e Prishtinës të ngritur më 29 qershor 2023, i pandehuri Princ Valentino Corleone akuzohet se pa autorizim ka poseduar substanca apo preparate të cilat janë shpallur me ligj si narkotikë, substanca psikotrope, analoge, me qëllim të shitjes apo shpërndarjes.
Ngjarja që e futi atë nën lupën e drejtësisë është ajo e 17 marsit të 2023, rreth orës 20:30 ku në fshatin Çagllavicë- Komuna e Prishtinës, teksa ishte në një motel në shoqëri të dy vajzave, i pandehuri Princ Valentino Corleone kontaktoi një vajzë tjetër, duke i thënë “hajde me e ngreh ndonjë vi kokë”.
Në aktakuzë shkruhet se vajza në fjalë kishte shkuar dhe ai i ka dhënë një sasi kokaine për ta konsumuar.
Ndërsa thuhet se kokainë kishte konsumuar ajo dhe njëra prej dy vajzave që kishin qenë fillimisht me të. Ndërsa gjatë kontrolleve fizike të kryera nga “blutë” e Kosovës të pandehurit Corleone i janë gjetur një dozë dhe një qese me substancë narkotike të llojit kokainë me peshë të përgjithshme prej 0.39 gramë.
Me këtë, Princ Valentino Corleone po akuzohet se ka kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” nga neni 267 par. 1 të Kodit Penal.
Video Credits: Gazeta Demos
