Ka nisur protesta e 12-të kombëtare kundër projektit të Zvërnecit, ku mijëra qytetarë kanë marshuar fillimisht nga Sheshi Skënderbej drejt Kryeministrisë. Me pankarta në duar, protestuesit i kanë kërkuar sërish kryeministrit Edi Rama dorëheqjen dhe anulimin e projektit.
Po ashtu, janë bërë thirrje edhe kundër kryedemokratit Sali Berisha, pavarësisht raportimeve të ditës së sotme se këtij të fundit i është hequr statusi “Non Grata” nga SHBA.
Më pas, disa qytetarë kanë marrë fjalën në podium dhe kanë bërë sërish thirrje për largimin e qeverisë.
Pjesëmarrës në protestë ishte edhe aktori Mehdi Malkaj, i cili e cilësoi të veçantë atmosferën e krijuar në shesh, ndërsa tha se qytetarët e mbledhur aty janë njerëz që nuk dorëzohen.
“Jemi në bulevardin qendror. Emocion i madh. Jemi me ca njerëz që i kanë rënë murit me kokë dhe kanë dalë matanë. Jemi në një vend ku nuk ia mban kryeministrit të vijë të thotë ndonjë fjalë”, tha Malkaj.
Gjithashtu, pritet që më vonë të zhvillohet edhe një marshim në rrugët e Tiranës, siç ka ndodhur edhe në netët e mëparshme të protestës.
