
Një operacion i përmasave të mëdha kundër trafikut ndërkombëtar të drogës ka çuar në arrestimin e 52 personave në Itali dhe Shqipëri.
Sipas mediave italiane, mësohet se operacioni "Ura", kontrollet janë kryer në mënyrë të koordinuar nga Drejtoria e Hetimit Antimafia e Barit dhe autoritetet shqiptare, me mbështetjen e Interpolit, Zyrës së Ekspertëve të Sigurisë në Tiranë dhe policisë shqiptare.
Operacioni u zhvillua nën drejtimin e Eurojust-it me seli në Hagë dhe Drejtorisë Kombëtare Antimafia dhe Antiterrorizëm në Romë.
Ndërkohë në Shqipëri siç u raportua dhe më herët Forcat e Rendit kanë zbarkuar në disa qytete të vendit, Durrës, Fier, Tiranë e Vlorë.
Një person është arrestuar në Vlorë e një në Fier dhe në Durrës.
Sakaq, në Durrës është lëshuar urdhër arresti për Ervis Doçin ose i njohur ndryshe si Visi i Pojës.
Ndër të tjera, bëhet me dije se mes të arrestuarve janë avokatë, policë dhe emra të njohur të drogës, ku këto hetime janë duke u udhëhequr nga SPAK dhe BKH-ja.
Gjatë aksionit u sekuestruan pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme me vlerë disa milionë euro, ndërsa personat e arrestuar akuzohen për përfshirje në trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike në sasi të mëdha, pastrim parash dhe shpërdorim të detyrës.