Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale në DPPSH, të pezullojë menjëherë nga detyra drejtuesin e Departamentit të Teknologjisë dhe Informacionit, Ervin Muçën.
Rrumbullaku ka këkruar pezullimin e Muçës menjëherë pasi është njohur me vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm dhe urdhrin e ekzekutimit të Prokurorisë Tiranë, për masat e sigurisë “Arrest në shtëpi” dhe “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, të caktuara për këtë shtetas.
Kujtojmë që më herët Prokuroria e Tiranës kërkoi masën “arrest shtëpie” për drejtorin e IT-së në Policinë e Shtetit, Ervin Muça pasi nga hetimet e prokurorisë ka rezultuar se ka eksportuar të dhënat e sistemit TIMS pa autorizim.
Në njoftim thuhej se në datën 02.08.2023 në bazën e të dhënave të Policisë së Shtetit, e cila ndodhet në godinën e Drejtorisë së Teknologjisë dhe Informacionit me adresë Rr. Mine Peza në Tiranë, ka pasur hyrje dhe eksportim të të dhënave të paautorizuara nga Drejtori i Teknologjisë dhe Informacionit, Ervin Muça.
Veprimet janë kryer në orët e vona të natës, ku persona të paautorizuar janë futur në godinë me pin-in personal të një punonjësi tjetër jo prezent, duke ngritur dyshime të arsyeshme për veprime jo korrekte dhe në kundërshtim me ligjin.
Personi nën hetim, sipas shkresës nr. 3041/1 prot, datë 08.01.2024 të Agjencisë së Mbikqyrjes Policore, rezulton se në datë 23.10.2007 në Itali është raportuar si përgjegjes për veprat penale të dokumenteve false kryer nga persona privatë dhe përdorimin e një akti të rremë. Në datë 09.09.2008 shtetasit E. M. i është njoftuar vendimi për refuzimin e rinovimit të lejes së qëndrimit të marrë nga shtabi i policisë në Bari.
Nga hetimi procedimit penal ndërmjet të tjerash, rezulton se personi nën hetim është këshilltar i jashtëm i Drejtores së Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, ndërkohë që është edhe Drejtor i Departamentit për Teknologjinë dhe Informacionit në Policinë e shtetit. Ligji për policinë e shtetit, ndalon veprimtari të dyta përveç mësimdhënies. Personi nën hetim E. M. nuk e ka deklaruar këtë veprimtari të dytë në dokumentet aplikues për pozicionin e DTI në policinë e shtetit.