Kadastra Shqiptare ka reaguar pas ndarjes nga jeta në mënyrë të parakohshme të Artan Lames, ish-drejtuesit të këtij institucioni.
Përmes një postimi në “Facebook”, Kadastra Shqiptare u shpreh ngushëllime familjarëve, miqve dhe të gjithë atyre që e njohën dhe vlerësuan Lamen ndër vite.
Ndër rreshta në këtë reagim shkruhet se ai ishte një figurë e kontribut të pazvëndësueshëm në reformimin e sistemit kadastral në Shqipëri, i cili u dallua për përkushtimin, vizionin dhe përpjekjet për t’i shërbyer qytetarëve.
Ndërsa thuhet më tej se për të gjithë kolegët dhe bashkëpunëtorët, Lame nuk ishte vetëm një drejtues, por një njeri që dinte të dëgjonte, të frymëzonte dhe të krijonte një frymë bashkëpunimi dhe respekti të ndërsjelltë.
“Me dhimbje të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të Artan Lames, ish-drejtues i Kadastrës Shqiptare dhe një figurë me kontribut të pazëvendësueshëm në reformimin e sistemit kadastral në Shqipëri.
Gjatë viteve të drejtimit të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, ai u dallua për përkushtimin, vizionin dhe përpjekjet e vazhdueshme për t’i shërbyer qytetarëve dhe interesit publik. Rruga që ai hapi për një administrim më efikas të pasurive të paluajtshme mbetet një trashëgimi e rëndësishme për institucionin tonë dhe për vendin.
Për kolegët dhe bashkëpunëtorët, Artan Lame nuk ishte vetëm një drejtues, por një njeri që dinte të dëgjonte, të frymëzonte dhe të krijonte një frymë bashkëpunimi dhe respekti të ndërsjellë.
Ngushëllimet më të sinqerta familjes, miqve dhe të gjithë atyre që e njohën dhe e vlerësuan. U prehtë në paqe”, shkruhet në reagimin e Kadastrës së Shqipërisë.

