Kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci ka reaguar për atentatin tragjik të ndodhur mëngjesin e sotëm në kryeqendrën e veriut ku dy persona mbetën të vrarë dhe dy të tjerë mbetën të plagosur rëndë.
Gjatë një postimi në rrjetet sociale, Beci thekson se kjo ngjarje e rëndë kriminale duhet të marrë ndëshkimin më të ashpër të ligjit.
Teksa vijon postimin e tij, kryebashkiaku socialist bën me dije se ka kontaktuar me Ministrinë e Brendshme ku shton se qytetarët shkodranë nuk e meritojnë të ndihen të pasigurt për jetën.
"Të dashur qytetarë. Ky mëngjes për Shkodrën nuk ishte ai i zakonshmi, siç ndodh çdo ditë në qytetin tonë. Një ngjarje kriminale që duhet të marrë ndëshkimin e ashpër të ligjit ka tronditur zemrën e qytetit. Kam kontaktuar me Ministrin e Brendshëm dhe me të gjitha strukturat që luftojnë krimin, në emër të jetës dhe sigurisë së qytetarëve të Shkodrës, të cilët nuk meritojnë të përballen me skena të tilla.", shkruan Beci.
Kujtojmë që mëngjesin e së hënës (8 shtator), autori i dyshuar i atentatit në afërsi të shkollës “Kole Idromeno” është 29-vjeçari Rakip Gila, tashmë i arrestuar nga uniformat blu.
Si pasojë e këtij sulmi mbeti i vdekur Armando Pali, punonjës i IKMT-së në Shkodër, ndërkohë që burime për mediat bëjnë me dije se fatkeqësisht ka ndërruar jetë në ambientet e spitalit edhe truproja e Erogen Vasos, Liridon Kraja.
Ndërkohë që në luftë me vdekjen mësohet të jetë Erogen Vaso si dhe kamarieria e lokalit një e re 25-vjeçare e cila fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Dyshohet se shënjestra e atentati të mëngjesit të sotëm të ketë qenë Erogen Vaso alias Brajoviç, i cili rezulton të jetë dhe vëllai i Denis Bajri (Brajoviç).

