
Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi ka dalë në një deklaratë për shtyp pas përfundimit të orarit zyrtar të procesit të votimit.
Gjatë fjalës së tij, Celibashi ka theksuar se procesi i votimit ka vijuar normalisht, me disa incidente të vogla.
Ndër të tjera, kreu i KQZ u shpreh se nëse të gjithë qëndrojnë konfort me ligjin dhe vijojnë punën ashtu sikurse ligji e thotë atëherë rezultatet paraprake do të publikohen pasdites e së martës. Ndërkohë, që u bëri thirrje partive politike që të tregojnë vetëpërmbajtje dhe të presin rezultatet.
“Në vlerësimin tonë bazuar në atë çfarë KQZ gjatë ditës së sotme ka monitoruar procesi ka shkuar në pjesën e tij dërmuese me një përjashtim sporadikt në përputhje me të gjitha rregullat dhe standartet.
Problematikat e konstatuara në mëngjes në momentin e hapjes së votimit janë adresuar nga ana e KQZ përfshirë këtu problematika që lidheshin me paraqitjen e komisionerëve, operatorëve të përdorimit të pajisjeve elektronike edhe në këtë rast sjell në dijeninë tuaj se procesi identifikimi elektronik ka shkuar shumë mirë, përjashtuar 4 rastet kur operatorët nuk u paraqitën dhe 4 të tjera kur pati u ndërpre procesi i identifikimit dhe u kalua në identifikimin përmes listës.
Kemi pasur shkëmbime informacioni me prokuroritë për 5 raste, 3 raste në Tiranë, 1 rast Elbasan dhe 1 rast në Korçë. Këto informacione në gjykimin dhe vlerësimin tonë të lidhura me akte që mund të vlerësohen i kemi përcjellë këtyre prokurorive për kompetencë.
Dhe besoj që nëse të gjithë do të bëjnë atë çfarë ligji ka përcaktuar në këtë rast ne do të kemi rezultatin paraprak brenda afatit të përcaktuar, jo më vonë se pasditja e ditës së martë. KQZ e konfirmoi me vendosmëri nuk do të tolerojë asnjë rast apo iniciativë që shkon kundër integritetin të procesit të numërimit”, tha Celibashi.