Pas incidenteve të regjistruara mbrëmjen e së shtunës gjatë protestës së zhvilluar në Tiranë, ku një grup personash të maskuar sulmuan Komisariatin nr. 3, duke dëmtuar xhamat dhe derën hyrëse të godinës, organet ligjzbatuese kanë nisur menjëherë hetimet për identifikimin e autorëve të dyshuar.
Sipas burimeve policore, një pjesë e personave që dyshohet se morën pjesë në aktet e dhunës janë identifikuar. Burimet bëjnë me dije se mes tyre janë shtetasit Tur Alimadhi, Mari Muca, Stiljan Spaho, Kol Gjoka dhe Zef Shllaku, ndërsa puna vijon edhe për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në ngjarje.
Të njëjtat burime bëjnë me dije se grupi hetimor ka administruar pamjet e kamerave të sigurisë, materialet filmike dhe prova të tjera, me qëllim dokumentimin e plotë të rrethanave të incidentit dhe përcaktimin e përgjegjësive ligjore për secilin prej personave të dyshuar.
Ndërkohë, deri në këtë fazë nuk ka ende një konfirmim zyrtar nga autoritetet për identitetin e personave të përmendur, ndërsa pritet që Policia e Shtetit të dalë me një reagim zyrtar lidhur me zhvillimet e hetimeve dhe masat procedurale që do të ndërmerren.


