Diaspora është kthyer në atdhe duke iu bashkuar protestës së 35-të të qytetarëve në Tiranë. Qytetarët janë mbledhur fillimisht në Sheshin “Skënderbej”, ku si në protestat e mëparshme kanë valëvitur flamujt kuqezi dhe kanë mbajtur pankarta me mesazhe të qarta politike si “Mjaft më!”, “Rama jep dorëheqjen” dhe “Rama në burg, Berisha në burg”. Më pas, turma ka marshuar drejt godinës së Kryeministrisë, ku tashmë qytetarët po mbajnë fjalimet e tyre.
Një prej protestuesve pjesëmarrëse ka qenë Bora Mitrovica, e cila ka udhëtuar nga Kanadaja për protestën. Në fjalën e saj ajo u shpreh se emrin ia kishte vënë Sali Berisha dhe e mllefosur me të ajo u shpreh se teksa ajo u largua për në emigrim, kumbari i saj “notonte në paratë e shqiptarëve”.
“Të gjitha familjet këtu ka një histori e imja ka një emër, emri im është Bora Mitrovica. Sali Berisha ma vuri emrin për shkak të bukurisë së Tropojës. O Sal’ ti më mbajte kur isha fëmijë, por nuk e dije se u largova. Ma vendosi emrin Bora si bora e maleve por unë u rrita jashtë, edhe kumbari im notonte me paratë e Shqipërisë. E qava nënën time në Kanada dhe erdha në shqipëri të qaja truoin e saj të pajetë pa arkivol, ajo vdiq duke më thirrur emrin”, është shprehur ajo.


