Hapësire reklamuese

Aktualitet

"Kemi monitoruar protestën që nga dita e parë!" Avokati i Popullit: Deri dje nuk ka pasur ankesa për ushtrim dhune ndaj protestuesve të ndaluar

Shkruar nga Newsbomb
"Kemi monitoruar protestën që nga dita e parë!" Avokati
Foto ilustruese

Avokati i Popullit ka bërë një reagim zyrtar sot në lidhje me protestën dhe incidentet e ndodhura para Kuvendit të enjten.

Ai është shprehur se që nga dita e parë e protestës ka monitoruar situatën dhe ka verifikuar dokumentacionin përkatës të ndalimeve dhe shoqërimeve.

Po ashtu në reagim ai thekson se deri më tani janë administruar 10 ankesa për pretendime mbi tejkalimin e forcës gjatë ndalimit apo shoqërimit nga ana e punonjësve të policisë.

Në reagim ai është ndalur edhe te pretendimet të ngritura sot për ushtrim dhune ndaj një qytetari brenda ambienteve të Bllokut të Sigurisë, duke theksuar se brenda institucionit kanë shkuar menjëherë dy ekipe verifikimi.

“Avokati i Popullit ka vepruar pa ndërprerje që nga dita e parë e ndalimeve për monitorimin e të drejtave të protestuesve të ndaluar ose të arrestuar. Ditën e parë, institucioni ka administruar dhe verifikuar dokumentacionin përkatës të ndalimeve dhe shoqërimeve.

Ditën e enjte, Avokati i Popullit ka kontaktuar personalisht personat e arrestuar, ndërsa ekipet tona kanë qenë të pranishme në komisariatet 1, 2, 3 dhe 4 të Tiranës si dhe në Spitalin e Traumës, ku janë intervistuar personat e ndaluar dhe të lënduar dhe është administruar informacioni i nevojshëm.

Ditën e premte, Mekanizmi Kombëtar për Parandalimin e Torturës ka zhvilluar verifikime në Bllokun e Sigurisë në Tiranë, ku janë intervistuar protestuesit e ndaluar.

Deri më tani janë administruar 10 ankesa zyrtare për tejkalim të forcës gjatë ndalimit apo shoqërimit nga ana e punonjësve të policisë. Këto ankesa janë në proces verifikimi administrativ dhe, nëse vërtetohen, do të ndiqen me të gjitha mjetet ligjore që i njeh mandati ynë.

Nga intervistat e zhvilluara deri ditën e premte, asnjë prej personave të ndaluar nuk ka paraqitur ankesë për ushtrim dhune gjatë qëndrimit në Bllokun e Sigurisë.

Këtë të shtunë, pas një pretendimi për ushtrim dhune ndaj një qytetari brenda ambienteve të bllokut të sigurisë, Avokati i Popullit ka angazhuar menjëherë dy ekipe: një ekip do të intervistojë qytetarin në spital, ndërsa një ekip tjetër do të zhvillojë verifikime në Bllokun e Sigurisë. Avokati i Popullit do të bëjë publike gjetjet e plota me përfundimin e verifikimeve”, thuhet në njoftim.

Ky reagim vjen pasi ditën e sotme përmes një postimi në Facebook, avokati Gentian Serjani ka pretenduar se protestuesi Niko Qarkaj vuan nga epilepsia dhe se gjatë qëndrimit në komisariat ka pësuar disa kriza.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese