Ora shënon 19:00 dhe është mbyllur procesi i votimit në të 36-ta qendra e votimit në Bashkinë e Himarës. Pas mbylljes së orarit zyrtar të votimit ka nisur tashmë transportimi i kutive dhe materialeve zgjedhore drejt Qendrës së Numërimit të Votave.
I gjithë procesi i votimi ka kaluar i qetë dhe pa incidente të rënda, vetëm me disa ngjarje sporadike. Ashtu si dhe kemi raportuar më herët një ndër problemet që u has gjatë këtij procesi zgjedhor ka qenë fakti se rreth 600 qytetarë nuk mundëm të votonin pasi në momentin që u paraqitën pranë qendrave të votimit komisionerët konstatuan se atyre u kishte skaduar karta e identitetit. Si rrjedhojë ata nuk mundën të shprehin vullnetin e tyre për zgjedhjen e kryebashkiakut të ri të Himarës.
Kjo u interpetua nga opozitarët si një skemë e mirëorganizuar nga mazhoranca ku sipas tyre ata po përpiqen të vjedhin zgjedhjet.
23074 qytetarë ishin në listat e Qendrave të Votimit dhe kishin të drejtën të votonin për të zgjedhur mes kandidatit socialist Vangjel Tavos dhe atij të opozitës Petro Gjikuria.
Krahasuar me zgjedhjet e vitit të kaluar, 14 maj 2023, pjesëmarrja ishte më e lartë. Deri në orën 18:00 Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bëri me dije se në qendrat e votimit kanë shkuar të votojnë rreth 7919 persona ose e përkthyer ndryshe në përqindje 36.26%.
