
Togat e zeza në kryeqytet kanë konfirmuar sot masat e sigurisë që ka kërkuar Prokuroria e Tiranës për nëntë përmbaruesit dhe administratorët e kompanive të mikrokredive, të cilët për disa vite me radhë janë zhvatur e u kanë marrë pronat qytetarëve.
Masa “Arrest në burg” është konfirmuar për Aldo Dakën, Albert Gegën, Edomnd Maton, Arben Meskutin, si dhe Alban Koten, i cili është shpallur në kërkim. Ndërsa, për Kejda Seferin, Elda Ibron, Alketa Tanushin dhe Jordisa Dervishin është konfirmuar masa “Arrest në shtëpi”.
Revista Newsbomb.al e ka denoncuar muaj më parë këtë skandal të madh që u ka shkaktuar qytetarëve shqiptarë dëme të pariparueshme në pasurinë e tyre.
"Micro Credit Albania" dhe kompani të tjera mashtruese si ajo, merrnin kredi të konsideruara të këqija nga bankat dhe të pashlyera ndër vite dhe më pas përdornin skema shtrënguese ndaj qytetarëve duke i futur sërish në kurth për të rimarrë kredi të tjera. Në rast se nuk pranonin, atyre u bllokoheshin rrogat, pronat, apo makinat.
Në një rast, përmbaruesja Jordisa Dervishi i ka sekuestruar qytetarit Vehtim Karaj pasuri prej 22 hektarësh tokë për një debi në vlerën e 1.267.160 lekë.
Pra, për 1 milionë lekë përmbaruesja i ka sekuestruar qytetarit pasuri në vlerë 500 fish më të madhe sesa detyrimi. Nisur nga ky rast dhe të tjerë të hetuar nga Prokuroria e Tiranës, përmbaruesit dhe administratorët e Micro Credit Albania, ADCA, SHP Zig, FS, FLASH kanë kryer veprën penale të "Shpërdorimit të detyrës" dhe "Vjedhjes".
Fakti penal në ngarkim të të pandehurve dhe kompanive të mikrokredive
Nga hetimet e zhvilluara ka rezultuar se subjektet Micro Credit Albania, ADCA, SHP Zig, FS, FLASH kanë marrë nga banka “ProCredit”, 3999 kredi të konsideruara të këqija dhe të pashlyera ndër vite me një shumë totale prej 7.299.203 euro dhe përdorën një skemë shtrënguese të kredi-marrjes ku nëpërmjet vjedhjes u imponohej debitorëve që kishin borxhe të vjetra në banka, të rimerrnin kredi edhe pse nuk kishin mundësi shlyerje si dhe u bllokonin nga shoqëritë përmbarimore rrogat, pronat, apo makinat.
Për likuidimin e këtyre kredive të blera nga MCA, dyshohet se është përdorur vjedhja, duke i detyruar kreditorët që të marrin kredi të reja pranë këtij institucioni financiar, për të zhbllokuar të vjetrën, që përsëri e dispononte si portofol agjencia financiare MCA. Me marrjen e një kredie të re pranë agjencisë financiare MCA zhbllokohej përkohësisht pasuria dhe llogaritë e kreditorëve, por më vonë agjencia financiare MCA shfaqej me kërkesën për likuidimin e shumave të tjera.

Kjo skemë është përdoruar tek kredimarrës të ndryshëm, të cilët rezultojnë të jenë viktima të vjedhjes së pasurisë së tyre, duke shkaktuar një dëm shumë të lartë ekonomik ndaj këtyre shtetasve apo enteve private dhe publike.
Nga ana tjetër, këto institucione financiare aplikonin një kamatë vonesë prej 2% + 8% për çdo vit dhe sipas aktit të ekspertimit kontabël, vlera totale fillestare e detyrimit principal për të gjithë urdhrat e vendosur me palë kreditore shoqërinë ‘Micro Credit Albania’ Sh.a është në shumën 575,842,669.60 lekë. Ndërsa totali i kamat vonesës ligjore sipas normës 2% + 8% në vit është në shumën 258,687,709.07 leke.
Nga hetimet janë evidentuar dhe raste konkrete ku për një detyrim të prapambetur prej 347.958 lekësh, Micro Credit Albania ka sekuestruar 14 pasuri të paluajtshme të një shtetasi.