Gazetarja Ola Xama e ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” nga Ylli Rakipi ka ngritur një dilemë që lidhet me kursin e këmbimit euro-lek dhe faktorët që e kanë ndikuar.
Ajo thekson se, sipas argumenteve zyrtare, forcimi i lekut justifikohet nga rritja e eksporteve, turizmit, investimeve të huaja dhe flukset e llogarive financiare në valutë.
Por, sipas saj, nëse këto faktorë do të ishin të mjaftueshëm, atëherë vetë eksportuesit nuk do të ndiheshin të penalizuar nga kursi i këmbimit, sepse fitimet e tyre nga shitjet do të justifikonin efektin negativ të konvertimit.
Xama nënvizon se ky është shkaku pse është hapur debati publik nëse ka faktorë të tjerë joformalë që ndikojnë në forcimin e lekut, përfshirë flukset nga aktiviteti kriminal?
“Pra euro dobësohet dhe leku forcohet. I gjithë debati që po bëhet është cilët janë faktorët që kanë ndikuar për të dobësuar monedhën euro, pra na janë rritur eksportet, na janë rritur të ardhurat nga turizmi, na janë rritur investimet e huaja, kemi më shumë llogari financiare në monedhë të huaj kryesisht valuta euro të cilat mund të justifikojnë këtë mbiçmim apo forcim të monedhës së lekut.
Por nëse këto do e justifikonin atëherë vetë sektorët eksportues duke qenë se monedhat ku ata kryejnë veprimet me jashtë dhe më pas e konvertojnë në vend do i rezultonte me një humbje ata do kishin me shumë shitje dhe kjo shitje do t’i rriste fitimet dhe fitimet do të amortizonin edhe efektin e kursit të këmbimit.
Në Shqipëri nuk ka ndodhur kjo dhe prandaj është hapur i gjithë ky debati që të çojnë pastaj te diskutimet a ka apo jo faktorë të tregut joformalë që vijnë kryesisht nga aktiviteti kriminal”- tha Xama.
