Hapësire reklamuese

Aktualitet

Ngriti Ambasadën Shqiptare në Londër dhe botoi fjalorin Anglish-Shqip, mbyll sytë në Angli profesori dhe diplomati Pavli Qesku

Shkruar nga Newsbomb
Ngriti Ambasadën Shqiptare në Londër dhe botoi fjalorin
Diplomati Pavli Qesku

Ambasadori i parë i Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar dhe një ndër profesorët më të shquar leksikograf të gjuhës shqipe, Pavli Qesku ka mbyllur sytë në Londër në moshën 82 vjeçare.

 I lindur në qytetin e Elbasanit, Pavli Qesku do të mbahet mend jo vetëm për shërbimin e tij të shquar diplomatik, por edhe si njëri prej leksikografëve më prodhimtarë të leksikografisë njëgjuhëshe e dygjuhëshe në Shqipëri këto vitet e fundit.

Ai ka shërbyer si Ambasadori i parë i Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar pas viteve ’90, pasi është njeriu që hapi dhe ngriti Ambasadën Shqiptare në Londër. Gjithashtu, është diplomati që udhëhoqi negociatat për kthimin e arit shqiptar nga Banka e Anglisë.

Më poshtë, disa paragrafë nga artikulli “Kontributi i Pavli Qeskut në fushë të leksikografisë” i profesoreshës së departamentit të gjuhësisë në Universitetin e Elbasanit, profesor Jonida Cungut (botuar në aktet e konferencës “Punëtorë të shquar të albanologjisë”, Universiteti “A.Xhuvani”)

I lindur më 16.06.1944, në një nga lagjet më të vjetra të qytetit të Elbasanit, mori mësimet e para në shkollën “Thoma Kalefi”. Në vitet 1957-1960 vazhdoi studimet në gjimnazin “Qamil Guranjaku”. Do të përzgjidhet nga pushteti i atëhershëm për të vazhduar studimet në Kinë, për inxhinier metalurg. Pas përfundimeve të studimeve, për pak kohë do të arrijë të punojë si përkthyes pranë ish-Kombinatit Metalurgjik, por prishja e marrëdhënieve shqiptaro-kineze do ta vendoste përballë një situate të re. Sërish studimet e larta do t’i krijonin mundësi të largohej nga vendlindja e tij për të studiuar gjuhën angleze pranë Universitetit të Tiranës, meqenëse asnjerit prej studentëve të kthyer nga Kina, nuk iu dha mundësia të ndiqnin studimet në drejtimin inxhinier metalurg....

...Puna e tij në kuadër të leksikografisë ka filluar si hartues i fjalorëve dygjuhësh, shqip-anglisht dhe anglisht-shqip shumë vite më parë. Numërohen disa fjalorë dygjuhësh të botuar, të cilët datojnë që nga viti 1999. Kontributi i tij do të vërehet dhe në hartimin e fjalorit të gjuhës shqipe. Nisur nga puna e tij shumëvjeçare do të hartojë dhe Kartotekën e fjalëve të shqipes standarde dhe krahinorizmave gege, toske e arbëreshe, çame e kosovare. I titulluar në mënyrë intriguese “Fjalor pa dry”, autori përpiqet të komunikojë me lexuesin për vazhdimësinë e hartimit të kësaj kartoteke që në faqet e para. Në vitin 2008 ai do të paraqesë hartimin e “Fjalor themelor i gjuhës shqipe”, i cili do të ishte përpjekja e gjashtë viteve pune si mbledhës dhe hartues i një fjalori tjetër të gjuhës shqipe në lëmin e leksikografisë shqiptare. Si fjalorë të tij përmendim:

- Fjalor shqip-anglisht (45.500 fjalë dhe tituj), botuar më 1999;

- Fjalor anglisht-shqip (70.000 fjalë), viti 2000;

- Fjalor shqip-anglisht (45.500 fjalë dhe 200.000 referenca), viti 2001;

- Fjalor anglisht-shqip (35.000 fjalë), viti 2002;

- Fjalor shqip-anglisht-shqip (10.000 fjalë titull, 60.000 fjalë të prejardhura, 100.000 shembuj e referenca), viti 2004;

- Fjalor anglisht-shqip (40.000 fjalë, 100.000 shembuj e idioma), viti 2007;

- Fjalor themelor i gjuhës shqipe (33.500 fjalë), viti 2008;

- Fjalor anglisht-shqip (70.000 fjalë bazë dhe 250.000 referenca), viti 2009;

- Fjalor shqip-anglisht me shqipe gjithëmbarë arbëreshe, çame, kosovare, krahinore gege e toske (mbi 170.000 fjalë), viti 2014; Ripunim Fjalor shqip-anglisht me shqipe gjithëmbarë gege e toske, arbëreshe, kosovare (176.000 fjalë), viti 2016;

- Fjalorë pa dry- Kartotekë me shqipe standarde dhe krahinorizma gege e toske, arbëreshe, çame e kosovare.

Duke qenë njohës i mirë i gjuhës angleze, kontributin e Qeskut do ta shijojmë dhe në fushë të përkthimit, ndër të cilët përmendim: “Dhoma e vogël e librave”, Elener Farxhon; “Për kë bien kambanat”, Ernest Heminguej; “Komedia njerëzore”, William Soroyan; “Pantallonat e Sem derrkucit”, Alison Atli; “Aku-Aku dhe ishulli i gjigandëve”, Thor Heyerdahl; “The castle”  Ismail Kadare; “Zemra e errësirës”, Joseph Conrad; “Tej fasadës”,  Archibald Cronin; “Goja e kalit”, Joyce Cary; “A lirical tale in winter”,  Teodor Laço etj.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese