Fabio Ballabani, "ushtar" i grupit të Emiljano Shullazit, është arrestuar në një shtet të huaj pas urdhrit ndërkombëtar të kërkimit që ka nxjerr Prokuroria e Posaçme, për ngjarjen e ndodhur në vitin 2019, ku rrahu barbarisht burrin e gjyqtares Saida Dollani.
Me urdhër të Emiljano Shullazit, Fabio Ballabanin alias Fabio Zyberaj alias Ivi Zyberaj, ka kërcënuar dhe dhunuar në zonën e ish-Bllokut shtetasin Kristaq Prifti, raporton newsbomb.al.
Në një konferencë për mediat nga selia e Drejtorisë së Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku ka bërë me dije se ky shtetas i kërkuar nga SPAK është arrestuar në një shtet të huaj dhe aktualisht ndodhet në burg, në pritje të procedurave të ekstradimit.
"Mund t'ju konfirmoj dhe një fakt tjetër për ekzekutimin e një vendimi tjetër, Fabio Ballabani, edhe ky pjesë e një grupi kriminal dhe është bërë ekzekutimi i vendimit në një vend partner. Aktualisht vuan dënimin në një burg", u shpreh kryepolici.
Ngjarja në vitin 2019 në Tiranë
Gjyqtarja Saida Dollani është një ndër magjistratet më të spikatura në Shqipëri, e cila ka firmosur qëndrimin pas hekurave të eksponentëve të lartë të krimit. Ajo ka kaluar me sukses procesin e vettingut dhe aktualisht mban postin e Zëvendëskryetare dhe Gjyqtare në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Gjyqtarja ka qenë pjesë e trupës që ka shqyrtuar dosjen “Shullazi” dhe nuk pranoi të largohej edhe pasi i dhunuan e kërcënuan me arme bashkëshortin Kristaq Prifti. Pra, duke e ditur se nuk mund as ta blinte dhe as ta largonte Saida Dollanin nga dosja e tij, Emiljano Shullazi urdhëroi rrahjen e burrit të saj. Mirëpo, as kjo nuk e pengoi gjyqtaren të vazhdonte misionin për të dhënë drejtësi.
Pavarësisht insistimit të saj për të çuar deri në fund procesin gjyqësor ndaj Emiljano Shullazit, një nga kolegët në Apelin e Krimeve të Rënda, i cili tashmë është përjashtuar nga sistemi i drejtësisë nga vettingu, vendosi largimin e Saida Dollanit nga trupa gjykuese dhe rrjedhimisht nga çështja.
Pesë vite më pas, në 2024 si rezultatet i hetimeve nga SPAK dhe zbërthimit të bisedave në aplikacionin e komunikimeve sekrete “Sky Ecc”, personat të cilat urdhëruan rrahjen e burrit të Saida Dollanit, kanë qenë Emiljano Shullazi, ish-deputeti i Partisë Socialiste Arben Ndoka si dhe i shumëkërkuari Ervis Martinaj. Porosia u krye nga Fabio Ballabani.
Vetë bashkëshorti i gjyqtares, Kristaq Prifti gjatë dëshmisë së dhënë në gjykatë në vitin 2019 tregoi kërcënimet që kishte marrë nga disa persona dhe se si ata i vendosën pistoletën në gojë.
“Isha në lokalin e lagjes bashkë me një mikun tim. Një moment dola të pija një cigare të dera e jashtme. Aty pranë kaloi bashkëshortja ime me një shoqen e saj dhe vajzën. Pak minuta më pas, në të djathtën time erdhi një djalë i rri, rreth 20-22 vjeç, i cili ishte veshur me bluzë ngjyrë si në të zezë, pantallona të errëta dhe atlete të bardha.
Ai erdhi direkt me pistoletë në dorë dhe vuri këmbën e majtë pas këmbës sime të djathtë. Më rrëzoi në tokë dhe më drejtoi pistoletën në gojë. Mu drejtua me fjalët ‘ti me atë tët shoqe mos harro se ke dy fëmijët në Francë’.
Në këtë moment ndërhyri shoku im, i cili e kapi nga pas personin. Ai u largua nga pjesa e djathtë e rrugës, ku e mori një automjet i bardhë, që drejtohej nga një person me mjekër. Kërcënimi në drejtimin tim ka ndodhur për shkak të funksionit të bashkëshortes time si gjyqtare në Gjykatën e Apelit për Krime të rënda”, ka dëshmuar atë kohë bashkëshorti i gjyqtares Saida Dollani.
© Newsbomb.al
