Hapësire reklamuese

Aktualitet

E premtja e kthen Tiranën në kryeqendrën e Europës, 47 liderë shtetesh bëhen bashkë në Samitin e Komunitetit Politik! Axhenda e plotë

Shkruar nga Newsbomb

E premtja e kthen Tiranën në kryeqendrën e Europës, 47

E premtja e kthen Tiranën në kryeqendrën e Europës duke bërë bashkë 47 liderë botërorë.

Samiti i gjashtë i Komunitetit Politik Europian do të mbahet sot, ku do të marrin pjesë 47 liderë shtetesh dhe qeverish nga e gjithë Europa, së bashku me drejtuesit e institucioneve kryesore evropiane dhe ndërkombëtare.

Kjo është hera e parë që një ngjarje e tillë zhvillohet në Ballkanin Perëndimor, duke shënuar një moment historik për Shqipërinë dhe rajonin. Pjesëmarrësit do të diskutojnë për çështje të sigurisë, konkurrencës ekonomike dhe fuqizimin e rinisë.

Disa nga liderët mbërritën ditën e djeshme, ndërsa të tjerë pritet të zbresin sot në Rinas.

I pari mbërriti kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Keir Starmer, i cili u takua me presidentin e Shqipërisë Bajram Begaj më pas me kryeministrin Edi Rama, ku firmosen edhe dy marrëveshje.

Më vonë mbërriti, presidentja e Komisionit Europian Ursula Von nder Leyen, presidenti i Këshillit Europian Antonio Kosta dhe përfaqësuesi për politikën e jashtme të BE, Kaja Kallas.

Gjithashtu në kuadër të samitit, mbërritën në Tiranë liderit e shteteve Maqedonisë së Veriut, Andorës, Qipros, Azerbajzanit, Polonisë, Bullgarisë, Malit të Zi, Serbisë, Holandës, Finlandës, Lituanisë dhe Spanjës. Kosova dhe Greqia do të përfaqësohen në nivel presidencial.

Ndërsa sot pritet të vijnë liderët e vendeve: Belgjika, Austria, Turqia, Hungaria, Kroaci, Slloveni, Çeki, Sllovaki, Franca dhe Ukraina.

Çfarë pritet të ndodh?

Sipas njoftimit të Këshillit Europian ambicia e Samitit të Komunitetit Politik Europian është të lehtësojë dialogun dhe bashkëpunimin ndërmjet liderëve të kontinentit për të adresuar çështje me interes të përbashkët, për të forcuar sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e Europës.

“Ky samit nuk ka për qëllim të zëvendësojë ndonjë strukturë, organizatë ose proces ekzistues, por është një forum ku shtetet europiane mund të gjejnë mundësi të tjera për bashkëpunim mbi çështjet më urgjente të kontinentit”.

Deri më tani, Komuniteti Politik Europian ka zhvilluar pesë takime. Në takimin e parë historik në Çeki, diskutimi u dominua nga çështje të paqes, sigurisë dhe energjisë që rrjedhin nga lufta e Rusisë në Ukrainë.

Në samitin e dytë në Moldavi, liderët u përqendruan te përpjekjet për paqe dhe siguri, si dhe te qëndrueshmëria energjetike dhe lidhshmëria dhe mobiliteti në Europë.

Takimi i tretë në Spanjë u përqendrua në forcimin e qëndrueshmërisë, prosperitetit dhe gjeostrategjisë së Europës.

Në Mbretërinë e Bashkuar, në samitin e katërt, dialogu u përqendrua në mbrojtjen dhe sigurinë e demokracisë, migrimin, energjinë dhe lidhshmërinë.

Në takimin më të fundit në Hungari, liderët diskutuan sfidat e sigurisë të Europës, migrimin e parregullt, sigurinë ekonomike, lidhshmërinë dhe marrëdhëniet BE-SHBA.

Axhenda e samitit

10:00 – Mbërritje
11:00 – Ceremonia e hapjes
11:30 – Foto familjare
11:45 – Seanca e parë plenare
13:00 – Dreka zyrtare
14:30 – Tryeza tematike
15:45 – Takime dypalëshe midis Kryetarëve të Delegacioneve
17:30 – Seanca plenare mbyllëse
18:30 – Konferencë e përbashkët për shtyp me Kryeministrin e Shqipërisë dhe Kryeministrin e Danimarkës (pritësi i radhës)

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese