Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me atentatin e regjistruar paraditen e sotme në qytetin e Shkodrës, ku 29-vjeçari Ragip Gila qëlloi me breshëri plumbash duke lënë të vdekur Armando Palin dhe Liridon Krajë, ndërkohë i plagosur mbeti Erogen Vaso dhe kamariera e lokalit ku ndodhi ngjarja, e reja Meri Kace.
Atentati i sotëm vjen vetëm tre ditë pas vrasjes së 34-vjeçarit Kristian Kola, vetëm disa metra larg vendit ku dhe ndodhi ngjarja e sotme. Burime për mediat bëjnë me dije se grupi hetimor dyshon se Gila të ketë “gisht” edhe në atentatin e të riut Kola.
Nga analizat e kamerave dhe hetimeve paraprake, thuhet se autori i dy ngjarjeve ka tipare fizike të ngjashme dhe përdori të njëjtën mënyrë ekzekutimi.
Hetuesit dyshojnë se për shkak të ngjashmërisë fizike dhe mënyrës së kryerjes së atentatit, ku hapet zjarr nga një motor, dyshohet se kemi të bëjmë me të njëjtin autor.
Ndërkohë sa i përket itinerarit që 29-vjeçari ndoqi ditën e sotme mësohet se pas atentatit ai braktisi motomjetin e tij dhe u largua rreth 300 metra në këmbë.
Më pas ai i vendosi armën një qytetari duke i rrëmbyer automjetin e tij. Me makinën e grabitur dhe skafandrë në kokë brenda automjetit, i riu tentoi që të largohet deri në zonën e Sarreqit ku dhe u përfshi në një aksident.
Pas aksidentit ai braktisi automjetin tip “BMW” dhe u largua me vrap, ndërkohë që efektivët ishin në ndjekje të tij duke arritur ta neutralizojnë dhe arrestojnë poshtë shinave të trenit në shtratin e lumit Kir.
"Rreth orës 08:50, në lagjen “Qemal Stafa”, në ambientet e jashtme të një lokali, dyshohet se shtetasi R. G. ka qëlluar me armë zjarri dhe si pasojë janë plagosur shtetasi E. V. (B.), 43 vjeç, i cili ndodhet nën kujdesin e mjekëve, si dhe shtetasja M. K., 25 vjeçe, e cila është dëmtuar lehtë.
Gjithashtu, si pasojë e të shtënave, ka humbur jetën në vendngjarje shtetasi A. P., ndërsa në Spitalin Rajonal Shkodër ka ndërruar jetë edhe shtetasi L. K. (L.), 31 vjeç.
Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe janë vënë në ndjekje të autorit. Pas disa minutash ndjekjeje, bënë të mundur kapjen e tij dhe sekuestruan një armë zjarri automatike.
Ndërkaq, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes", njoftoi Policia më herët.

