Pëllumb Pilinçi ishte i pranishëm sot në ditën e 11 të protestës ku ka bërë një deklaratë të ashpër ku ka thënë se “do t’i heqë zvarrë në shesh” ata që ai i konsideron si agjentë. Ai tha se ka një listë me 85 gazetarë dhe analistë që sipas tij do të arrestohen.
Ai pretendoi se ka ngritur studentë në Maqedoni dhe se i organizon edhe në Shqipëri. Deklaroi se më 13 qershor është “dita e fundit e agjentëve dhe spiunëve”. Pilinçi gjithashtu e vlerësoi policinë dhe sidomos drejtorin e policisë, duke thënë se “është hero i kombit” dhe se “merr urdhër nga rinia, jo nga Berisha apo Rama”.
"Unë po flas për të gjithë. I përshëndes të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen në botë. Erdhi përfundimi i komunistëve dhe i agjentëve që kanë dalë këtu përballë. Ne i kontrollojmë. Ne kemi ngritur studentët që janë në Maqedoni. Ne i organizojmë këtu. Po janë nja shtatë-tetë veta. Unë e kam nxjerrë në televizor.
Pra shqiptarë, duruat. Në datën 13 është dita e fundit e agjentëve, e spiunëve, e këtyre që rrinë këtu që paguhen edhe hiqen trima. Policia është këtu dhe është duke kontrolluar. Policia është në favor të shqiptarëve. Policia, sidomos drejtori i policisë, është një hero i kombit që e ka ndryshuar nga drejtoritë e policisë. Ai nuk merr urdhër as nga Berisha, as nga Edi Rama. Ai merr urdhër nga rinia.
Edi Rama ka rënë. Qeverinë teknike e kemi krijuar me shqiptarët, me ju. Unë gëzohem për gazetarët e rinj që janë shpresa e kombit, ju. Kurse ata që quhen gazetarë e analistë për televizor, ata që po flasin aty, ata janë agjentë. Ne i kemi nxjerrë dokumentat.
Pilinçi s’ka pasur frikë as nga Berisha, as nga Edi Rama. Unë do t’i heq zvarrë, por ja kam lënë popullit shqiptar që t’i heqë zvarrë një nga një. Po jo vetëm ata. Janë 85 të quajtur analistë dhe gazetarë që janë nëpër televizor. Shpresa që janë për shqiptarët jeni ju. Unë nuk jam pro dhunës. Ata ju kanë caktuar. Unë jam i bindur.
Edi Ramës nuk i ka ngelur kohë. Ka mbaruar Sali Berisha, ka mbaruar. Janë 85, bilem ju keni vizituar shumë herë. Unë i njoh mirë. Unë nuk mbaj mend emrat shumë mirë. Ju jeni gazetarë shumë të shkëlqyeshëm. Mos u trembni nga këta. Këta kanë përfunduar një herë e përgjithmonë. U kanë shkatërruar për 35 vjet. Unë nuk kam marrë leje sepse jam drejtues i qeverisë teknike. Unë kam 12 milion klikime, edhe ju jeni me ne."- tha ai.
