Më 9 dhe 10 qershor në Tiranë u mbajtën dy mbledhje mes Bashkimit Evropian dhe Qeverisë së Shqipërisë për të parë si po përdoren fondet e BE-së dhe si po ecin reformat që lidhen me procesin e anëtarësimit.
Në takim u diskutua për Instrumentin për Reforma dhe Rritje, ku Shqipëria ka bërë përparim të dukshëm duke përfunduar një pjesë të madhe të hapave të reformave dhe ka marrë deri tani 213 milion euro nga BE-ja.
Këto reforma lidhen me fusha si biznesi, energjia, digjitalizimi, infrastruktura dhe shteti i së drejtës. BE-ja e vlerësoi këtë performancë dhe tha se Shqipëria mund të përfitojë edhe fonde shtesë nëse vazhdon me ritmin e mirë.
Gjatë takimit u diskutua për Instrumentin për Ndihmën Para Anëtarësimit, i cili financon projekte konkrete si anti-korrupsioni, mjedisi, qeverisja vendore, siguria ushqimore, drejtësia dhe të drejtat e njeriut.
Që prej vitit 2007, Shqipëria ka marrë mbi 1.9 miliardë euro grante dhe janë miratuar edhe 100 milionë euro të reja për periudhën 2025-2027.
Në fjalën e hapjes, Zëvendës Kryeministrja Albana Koçiu konfirmoi edhe një herë angazhimin e Shqipërisë për procesin e reformave duke u shprehur se Qeveria Shqiptare po ndërton historikun që do të pëecaktojë vendin tonë si një partner të beshueshëm dhe me performancë dinjitoze të Bashkimit Evropian.
“Mbi të gjitha, RGF-ja është mjet për ndryshimet e thella strukturore që do t’i mbijetojnë edhe vetë instrumentit duke formësuar kapacitetet, kulturën e llogaridhënies dhe koherencën e politikave të shtetit shqiptar në periudhën afatgjatë. Qeveria e Shqipërisë ka garantuar udhëheqjen politike dhe mobilizimin ndërqeveritar. Dorëzimi i raportit të radhës në korrik të këtij viti përfaqëson një fazë vendimtare, sepse është testimi i maturisë sonë administrative dhe sinjal drejtuar parterëve tanë evropianë dhe rajonit lidhur me çka Shqipëria është e aftë të arrijë. Qeveria është tërësisht e ndërgjegjshme se rigoroziteti i këtij dorëzimi do të kushtëzojë drejtpërsëdrejti trajektoren e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë. Nuk kërkojmë vetëm këstin e radhës së fondeve. Po ndërtojmë historikun që do ta përcaktojë Shqipërinë si partner të besueshëm të parashikueshëm dhe me performancë të fortë të Bashkimit Evropian”.- tha Koçiu.
Sigrid Brettel mirëpriti performancën domethënëse të Shqipërisë ndërkohë që nxiti vijimin e këtim momenti, duke u shprehur se vendi ynë ka mbështetje maksimale për një performancë të shkëlqyer.
“Performanca e Shqipërisë në kuadër të Instrumentit për Reforma dhe Rritje është e mirë dhe ne duam t’ju mbështesim që kjo performancë të jetë e shkëlqyer. Periudha e ardhshme e raportimit do të jetë kritike në kuadër të afrimit të disa prej afateve të zbatimit të reformave. Gjirthashtu, Komisioni Evropian do t’i akordojë fonde shtesë vendeve të Ballkanit Perëndimor me performancën më të mirë. Shqipëria ka mundësi të vijojë të renditet ndër vendet me performancën më të mirë dhe të përfitojë nga mbështetja shtesë e bazuar në reforma në të ardhmen, përmes progresit të vazhdueshëm me zbatimin e tyre.”- tha Brettel.
Shqipëria po ecën mirë me reformat dhe po shihet si një nga vendet më të suksesshme në rajon. BE-ja e inkurajon të ruajë këtë ritëm, sepse përfitimet nuk lidhen vetëm me fondet, por edhe me përgatitjen e vendit për anëtarësim në BE.
