
Atentati me armë zjarri që tronditi dje Shkodrën dhe mbarë opinionin publik, po hetohet intensivisht nga Policia kriminale. Fatkeqësisht kjo ngjarje pati pasoja të rënda me 3 viktima, ku mbetën të vdekur Hamza Lici, Arlind Bushati dhe një kalimtare e rastit, Flutura Basha. Ende nuk janë identifikuar autorët të cilët kanë djegur dhe automjetin me të cilin kryen atentatin, por policia dyshon se kanë qenë dy ekzekutorë me kallashnikovë dhe një i tretë që drejtonte makinën e tyre.
Ndërkaq, policia po heton edhe një pistë të re, ku mendohet se edhe në automjetin tip “Benz” kanë qenë tre persona, veç Hamza Licit dhe Arlind Bushatit. Lici ishte duke drejtuar makinën dhe mbeti i vdekur në vend, ndërsa Bushati si pasagjer në ndenjësen e parë ndërroi jetë pas disa orësh në spital.
Duhet theksuar se prania e një personi të tretë ende nuk është e konfirmuar zyrtarisht nga uniformat blu, megjithatë dyshimi ka lindur për shkak të xhamit të pasëm të automjetit, i bërë shoshë nga plumbat. Ekspertët e kriminalistikës mendojnë se në sediljen e pasme të “S-Classit” ka qenë ulur një person, që mund të jetë ndihmuar nga kalimtarët e rastit duke qenë i plagosur.
Mbetet të shihet dhe pritet një përfundim zyrtar nga ana e Policisë së Shtetit për të mësuar më shumë rreth kësaj ngjarje që ka tronditur mbarë Shqipërinë. Familjarët e të ndjerëve kanë hapur dyert e mortit, ndërsa kujtojmë që në gjendje të rëndë për jetën vijon të jetë edhe një tjetër kalimtar i rastit, Bashkim Basha, bashkëshorti i të ndjerës Flutura që u vra në këtë atentat.