Mustafa Sheqeri alias Muçi Shaljani, i cili ra në atentat pasditen e djeshme në rrethrrotullimin e Rinasit, ishte agjent me kontratë i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore dhe në fund të muajit Nëntor, ajo i përfundonte zyrtarisht.
Miku i Gilmando Danit ishte rekrutuar me kontratë 3 mujore në AMP dhe pa asnjë procedurë verifikimi. Është e pakuptueshme sesi Muçi Shaljani kishte mundur të futej në AMP, kur ai njihej në Tiranë për miqësinë e hershme me Gilmando Danin, krahu i djathtë i Emiljano Shullazit. Kohët e fundit, pas daljes nga qelia 47 vjeçari mësohet se kishte marrë drejtimin e grupit.
Newsbomb.al raportoi ekskluzivisht pasditen e djeshme, se agjenti rreth 40 vjeç merrej me "marrjen dhe dhënien me qira të pasurive të paluajtshme" dhe prej vitit 2018, kishte në pronësi hotel "RAMEL" më Tiranë.
Nga një verifikim i redaksisë, rezulton se ky hotel ishte i licensuar dhe nga Ministria e Mjedisit dhe Turizmit, e cila në vitin 2022, e kishte njohur "RAMEL" zyrtarisht si strukturë akomoduese të regjistruar në Republikën e Shqipërisë.
Mustafa Sheqeri alias Muçi Shaljani ishte shofer i mjetit luksoz Mercedes Benz S Class dhe pasagjer në vendin e parë kishte Gilmando Danin.
Ata sapo ishin kthyer nga një udhëtim 4 ditor në Barcelonë dhe pak minuta para vrasjes, kishin marrë mjetin e parkuar në parkingun e Aeroportit të Rinasit dhe ishin nisur drejt Tiranës. Sapo Mercedesi mbërriti në rrethrrotullimin e aeroportit, ra në atentat.
Autorët raportohet se kanë qenë në një makinë me targa greke dhe kanë hapur zjarr me breshëri kallashnikovi nga ana e djathtë e mjetit, pasi Gilmando Dani ndodhej në vendin e parë si pasagjer.
Nga breshëria, plumbat kanë përshkruar dhe anën tjetër, duke prekur dhe shoferin Muçi Shaljani. Mjeti luksoz nuk ishte në pronësi të të plagosurit dhe as të viktimës, por i shtetasit Ervis Kosova, i cili njihet gjithashtu për marrëdhënien e ngushtë me anëtarët e grupit Shullazi.
© Newsbomb.al
