Hapësire reklamuese

Aktualitet

Dosja “5D”, Gjykata e Posaçme e Apelit çon në shtëpi Mariglen Qaton

Shkruar nga Newsbomb
Dosja “5D”, Gjykata e Posaçme e Apelit çon në
Mariglen Qato

Gjykata e Posaçme e Apelit ka vendosur të lehtësojë masën e sigurisë për ish-zyrtarin e Bashkisë së Tiranës, Mariglen Qato, i cili po hetohet në kuadër të dosjes së njohur si afera “5D”. Nga masa “arrest në burg”, ai është kaluar në “arrest shtëpie”, me vendim të fundit të gjykatës.

Ky zhvillim vjen në një linjë me vendimet e mëparshme të kësaj çështjeje, ku në vitin 2025, Gjykata e Posaçme e Apelit pranoi kërkesën e ish-drejtorit tjetër të Bashkisë, Redi Molla, duke e liruar nga qelia dhe duke e vendosur gjithashtu në arrest shtëpie për arsye shëndetësore. Ndërkohë, një tjetër i pandehur në këtë dosje, Taulant Tusha, u la në masën e detyrimit për t’u paraqitur rregullisht pranë organeve të drejtësisë.

Të tre ish-zyrtarët e Bashkisë së Tiranës konsiderohen si bashkëpunëtorë të afërt të kryebashkiakut të arrestuar të Tiranës, Erion Veliaj, dhe së bashku me persona të tjerë po përballen me akuza të rënda penale, që përfshijnë korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie në lidhje me hetimet e dosjes “5D”.

Nga ana e saj, SPAK ka kërkuar dënime të ashpra për të pandehurit. Për Redi Mollën kërkohen 11 vite burg, ndërsa për Mariglen Qaton 9 vite heqje lirie, si dhe ndalim i ushtrimit të funksioneve publike për një periudhë 5-vjeçare. Për Taulant Tushën është kërkuar një dënim prej 4 vitesh burg për shkelje të barazisë në tendera në disa raste, ndërsa për të pandehur të tjerë në të njëjtën dosje kërkohen dënime që variojnë nga 2 deri në 7 vite burg.

Sipas hetimeve të SPAK, Molla dhe Qato dyshohet se kanë pasur kontroll të tërthortë mbi kompaninë “5D”, e cila, sipas prokurorisë, është favorizuar përmes tenderave të Bashkisë së Tiranës në kohën kur ata ushtronin funksione drejtuese në administratën vendore.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese