Autoritetet vendore kanë ndërmarrë këtë të martë një aksion në bregdetin e Shëngjinit për lirimin e hapësirave publike të zaptuara dhe përdorura pa autorizim.
Gjatë kontrolleve në terren u sekuestruan dhjetëra shezllone të vendosura pa leje nga subjekte të ndryshme që ushtrojnë aktivitet në vijën bregdetare.
Sipas të dhënave zyrtare, gjatë ndërhyrjes u konstatuan shkelje në pesë subjekte, ndërsa u hoqën dhjetëra çadra dhe shezllone të vendosura në kundërshtim me kriteret ligjore.
Drejtori i Turizmit në Bashkinë Lezhë, Renaldo Xhanej, deklaroi se kontrollet u zhvilluan pas përfundimit të afateve për pajisjen me kontratat dhe lejet përkatëse, duke evidentuar raste të zaptimit të paligjshëm të hapësirave të dedikuara për publikun.
Ai theksoi se qëllimi i këtij aksioni është garantimi i aksesit të lirë të pushuesve në hapësirat publike të plazhit, veçanërisht në segmentet pa pagesë.
