Kryeinspektori i ri i Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, Afrim Qëndro në nisje të detyrës zyrtare ka zhvilluar një takim me drejtues të IKMT-së në qendër dhe qarqe, me të cilët thotë se ka analizuar ecurinë e përmbushjes së detyrave funksionale.
Gjithashtu, në këtë takim prezantues, janë diskutuar dhe sfidat e pritshme në kuadër të reformës ligjore të inspektorateve, për të cilën Qëndros ju besua edhe detyra.
Drejtori i ri që deri pak ditë më parë ishte Prefekt i Tiranës, është shprehur se IKMT duhet dhe që do ta marrë me përgjegjësi profilin e një institucioni të natyrës inxhinierike që garanton mbi të gjitha monitorimin në kohë dhe garantimin e zhvillimit në territor.
Sipas Afrim Qëndros, kjo është në përputhje e harmoni me përcaktimet ligjore të institucionit, duke synuar së pari parandalimin e shkeljeve dhe jo thjesht ndëshkimin e tyre.
Si drejtues i ri dhe i emëruar në këtë post për të çuar përpara reformën e inspektoriateve, ai ua ka bërë të qartë drejtuesve, dhe përmes tyre edhe inspektorëve në terren, se sjellja e tyre duhet dhe do të jetë shembull i integritetit dhe profesionalizmit.
"Çdo tejkalim sjelljeje që cënon këto parime do të konsiderohet automatikisht kapërcim i një vije të kuqe të patolerueshme e që do sjellë pasojat përkatëse ligjore", ka paralajmëruar Afrim Qëndro, kreu i Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit.
